Edukimi seksual tek adoleshentët

31/01/2012 19:10

Komunikimi i prindërve me fëmijët adoleshentë rreth marrëdhënieve seksuale ishte tema e emisionit “Pasdite në Top Channel”. 

Sa të hapur janë prindërit me fëmijët e tyre për të folur për hapat e parë kur nis një marrëdhënie seksuale.

“Jam 14 vjeç dhe marrëdhëniet me prindërit i kam shumë të mira, por janë disa tema që nuk janë të lehta për tu diskutuar me ta.
Kam dëgjuar për vajza moshatare që kanë kanë kryer marrëdhënie seksuale dhe që kanë mbetur shtatzanë dhe kanë përfunduar keq. Kur dëgjon këto gjëra mendon se është më mirë ta shohim si diçka shumë të rrezikshme seksin”, shprehet një nxënëse.

Një djalë thekson: “Këto tema i diskutojmë me shokët dhe kemi bërë mësim në shkollë, ndërsa me prindërit është më e vështirë. Gjithsesi për “këto punë” flas pak më lirshëm me mamanë  në shtëpi.”

“Me prindërit diskutoj për shkollën, shoqërinë, duhanin… Nuk kam diskutuar kurrë për seksin. Nuk është njësoj si të flasësh me shokët kur flet me prindërit sepse rezervohesh”, shpjegon një tjetër nxënës.

Ka edhe nga ata që mendojnë se janë prindërit që duhet të hapin tema të tilla me fëmijët.

“Unë mendoj se duhet të jenë prindërit ata që duhet ta hedhin hapin e parë sepse nëse ata tregohen të mirëkuptueshëm nuk ka fëmijë që nuk do të hapet me prindërit. Gjithsesi me shoqërinë e ke më të lehtë të tregosh”, thotë një vajzë.

“Kemi frikë të flasim hapur sepse nuk e dimë se si do ta presë prindi atë që ti përjeton”, thekson një nxënëse tjetër.

Mendimi i gjinekologut

“Marrëdhëniet seksuale fillojnë që në moshë të hershme. Mendoj se është një trend në rritje dhe duhet që ne t’i bëjmë të përgjegjshëm minorenët për komplikacionet që mund të ndodhin.
Përdorimi i kondomit do të ishte një zgjidhje shumë e mirë për të evituar një barrë të padëshirueshme apo sëmundje seksualisht të transmetueshme.”

A ka patur raste të vajzave të reja që vijnë për të abortuar? Si është gjendja e tyre?

Gjendja emocionale nuk është aspak e mirë dhe janë të stresuara. Janë të shqetësuara për të ardhmen e tyre riprodhuese. Pyetja e tyre e parë është: A do të mund të pres sërish fëmijë? Ne mundohemi t’i qetësojmë, por i shpjegojmë edhe rrezikun që bart një ndërprerje shtatzanie.

Vajzat vijnë me prindërit apo me shoqet?

Në përgjithësi nuk shoqërohen nga prindërit, por me shoqet apo partnerin gjë e cila na vë në pozitë të vështirë sepse janë të dy minorenë. Ka edhe raste të përsëritura, por ne përpiqemi në maksimum që të mos abortojnë për herë të dytë.

Top Channel