Lind fëmija me nënën mbartëse të HIV

25/01/2012 19:20

Rreth 2 muaj më parë, një 30 vjeçare kërkoi ndihmë në “Pasdite” në Top-Channel. Është  historia ekskluzive të një gruaje shtatëzanë, bartëse e virusit “HIV”.

Përmes kësaj studioje ajo denoncoi bluzat e bardha të rrethit ku jetonte se nuk merrnin për sipër lindjen e saj, nga frika e mundëshme e infektimit.

Shtatëzana mori përmes emisionit të pasdites garancinë se lindja e bebit do të merrej përsipër nga materniteti “Koço Glozheni” në Tiranë dhe lindja u krye ditën e mërkurë me shumë sukses.

“Fëmija i seksit femër gëzon parametra normalë jete. Lindi në kohë dhe me peshën katër kilogram. Operacioni rezultoi i suksesshëm dhe jemi shumë optimistë për arritjen e shmangies së virusit tek foshnja, ndonëse do të duhet të kalojnë gjashtë muaj për të bërë testimet e sakta në është i prekur apo jo”, shprehet një mjek përgjegjës.

Shkencërisht është provuar se ka shumë mundësi që një bebe e sjellë në jetë nga një nënë “Hiv-pozitiv”, të mos jetë bartës i sëmundjes. Por, ka tre rrugë për ta shmangur këtë: së pari fëmija duhet të lindë me operacion, pra jo përmes rrugës natyrale, të mos ushqehet me gji, dhe menjëherë pas lindjes të futet në trajtim mjekësor.

Merita Isaku, gjinekologia që udhëhoqi operacionin së bashku me mjekun Astrit Bimbashi, tregoi: “Ishte një operacion i zakonshëm për stafin. Kryhet përditë dhe në thelb s’ka asgjë të veçantë, hiq pjeën e pacientes e cila ishte e prekur nga HIV. Morëm masa për të mbrojtur veten dhe fëmijën, por vetëm kaq”.

“Kjo ishte hera e parë që dinim se po kryenim një operacion me një nënë të prekur nga HIV-I, por mund të kemi patur edhe raste të tjera që nuk i kemi ditur, pasi në Shqipëri nuk është zakon të bëhen kontrolle për të zbuluar prekjen nga HIV-i. Në operacon, morëm disa masa shtesë, si disa maska që mbulonin sytë dhe thjesht u treguam më të kujdesshëm”, theksoi Isaku.

Top Channel