Vëllai i vetëm me 12 motra

24/01/2012 17:25

Imagjinoni një mashkull që jeton me 13 femra në mënyrë të përditshme në shtëpi, 12 prej të cilave i ka motra dhe e mbetura është detyrimisht nëna.

Kjo ishte historia e një rekordi unik të përcjellë nga “Daily Mail” të martën, me në qendër të vëmendjes Charles Lewis, i cili pranon se nuk e ka idenë se si do t’ia kishte dalë mbanë, nëse nuk do të kishte patur një tualet personal.

24-vjeçari, i cili jeton në shtëpinë e prindërve me nëntë motra, pasi tre më të mëdhatë janë larguar prej pak kohësh, tregon se për vite me rradhë i është dashur të qëndrojë jashtë portës së tualetit për orë të tëra, deri sa më në fund iu realizua dëshira duke i ndërtuar një brenda dhomës së tij.

Megjithatë, babai 52-vjeçar nuk e ka një fat të tillë. “Më ka rastisur të pres deri në gjysmë dite për të shkuar në tualet. Shpresh herë, jam detyruar që të laj sytë ose të urinoj në mëngjes në tualetin e punës”, rrëfen Peter Lewis.

Megjithatë, një familje e tillë e rrallë ka edhe anët e saj të mira. “Nuk më vjen keq që jam djali i vetëm. Nuk mund të bëhesha më i përkëdhelur seç jam, ndërsa disa prej motrave kanë mësuar që të luajnë futboll”, shprehet Charles.

”Është një vëlla i përkujdesur, ndonëse janë shumë”, shprehet me humor e ëma, 48-vjeçarja Tracey. “Jemi me fat që kemi të paktën një djalë, pasi zëri i tij dëgjohet. Nuk e di sa janë probabilitetet, por të bësh në 13 fëmijë 12 vajza duhet të jetë me të vërtetë shumë e rrallë”.

Si mund të ushqehet një familje e tillë? Tre bukë në ditë, katër litër qumësht për mëngjes dhe 20 banane në ditë janë një pjesë e faturës që plotësohet me 30 shampo në muaj dhe 50 peshqirë të larë çdo javë.

FOTO GALERI
1/2
Motrat perkujdesen per vellain e tyre te vetem

Top Channel