Shpërthimet në brendi dhe në sipërfaqen e Diellit, kanë cliruar në hapësirë “stuhi rrezatimi” në drejtim të Tokës dhe planeteve të tjera të sistemit.

Shpërthimet cilësohen nga shkencëtarët e NASA-s si më të fuqishme që nga viti 2005, vit në të cilin Dielli u fut në një qetësi të pazakontë, që shumë e quajtën si “qetësia para furtunës”.

Shpërthimi më i fuqishëm i regjistruar nga NASA, ndodhi në orët e para të ditës së hënë dhe “stuhia” e lëshuar godet Tokën duke patur 3 efekte të ndryshme. I pari që mbërriti ishte rrezatimi elektromagnetik, ndjekur më pas nga rrezatimi në formën e protoneve për të ardhur tek faza e fundit, masa koronale e cliruar, sipas NASA-s, nga vetë plazma diellore.

Rreziku më i madh është rrezatimi elektromagnetik dhe ai në formën e protoneve. I pari mund të shkaktojë avari në funksionimin e satelitëve artificialë të hedhur në orbitën e Tokës, ndërsa i dyti rrezikon seriozisht edhe jetën e gjashtë astronautëve të NASA-s që ndodhen në hapësirë. Pikërisht për këtë, ata kanë marrë urdhër të shmangin daljen jashtë anijeve kozmike deri në përfundim të stuhisë.

Rrezatimi elektromagnetik, i pasuar me rrezatimin në formën e protoneve, ka udhëtuar me një shpejtësi prej 150 milion kilometër në orë dhe ka prekur atmosferën e Tokës brenda 60 minutave nga shpërthimi diellor. Sipas NASA-s efektet e tij do të zgjasin deri ditën e mërkurë.

Ndërsa, sa i përket masës së cliruar nga plazma diellore, shkencëtarët thonë se nuk do të ketë kurrëfarë ndikimi pasi ajo dobësohet gradualisht nëpër vakuum gjatë rrugëtimit për në Tokë.

Top Channel