Naftëtarët grevistë nuk pranojnë mjekët

23/01/2012 00:00

Rëndohet gjendja shëndetësore e gjashtë ish-naftëtarëve të ndërmarrjes
Gorisht-Kocul, të ngujuar në grevë urie që prej nëntë ditësh.

Pavarësisht problemeve shëndetësore që shfaqin, ata shprehen të bindur se nuk do ta ndërpresin grevën derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Situata

Shëndeti i të ngujuarve të urisë ka ardhur duke u përkeqësuar. Besnik Rrapi dhe Pëllumb Manaj janë në gjendje më të rëndë, ndërkohë që edhe katër grevistët e tjerë kanë shfaqur probleme me tensionin e lartë, vështirësi në përqendrim, dhimbje koke dhe temperaturë.

Në ambientet ku zhvillohet greva e urisë, janë paraqitur një grup mjekësh të ardhur nga Vlora. Bluzat e bardha janë përpjekur t’i ekzaminojnë, por nuk janë lejuar nga grevistët, pasi ardhja e tyre ka qenë e shoqëruar me forca policore. Për këtë arsye ata nuk kanë lejuar futjen e mjekëve në dhomën ku janë ngujuar që prej së dielës së kaluar. “Nuk duam të vijnë mjekë të shoqëruar me forca policore. Ne këtu jemi futur për të kërkuar të drejtat tona që na jep ligji, ndaj nuk do të lejojmë askënd të na nxjerrë forcërisht”, janë shprehur grevistët, duke kërcënuar se do të vetëflijohen nëse nuk fitojnë të drejtat e tyre. “Ne jemi të vendosur të qëndrojmë deri në fund, derisa të na japin të drejtën tonë që na njeh Kodi i Punës, në të kundërt nuk do të dalim gjallë nga kjo godinë, do të flijohemi të gjithë”, kanë thënë të ngujuarit e urisë, bën të ditur gazeta “Shqip”.

Top Channel