Certifikatë “vdekjeje” për makinat

21/01/2012 00:00

Të paktën 110 mijë makina, duhet të pajisen me çertifikatën e
shkatërrimit nga pronarët e tyre, të cilët për vite me radhë nuk kanë
paguar taksën e kolaudimit.

Ministria e Mjedisit ka pergatitur projektligjin per makinat ne fund te jetes, i cili detyron pronaret e automjeteve që nuk i perdorin, te mos i braktisin ato, pa marre me pare çerfikatën e shkatërrimit.

“Kodi Rrugor thotë që pronari i fundit i mjetit duhet të kryejë procedurën e çregjistrimit. Por çregjistrimi nuk mund të quhet i finalizuar, nëse nuk ka kaluar më parë procesin e shkatërrimit të makinës. Shkatërrimi nënkupton që ajo makinë merr fund në funksionin e saj dhe për këtë duhet të krijohet një strukturë tjetër, një skemë tjetër e mënyrës se si do të lëshohet certifikata e shkatërrimit”, thotë Pëllumb Abeshi, drejtor i Politikave në Ministrinë e Mjedisit.

Ne vendin tone numerohen 320 vendgrumbullime makinash dhe ku jane depozituar shume makina edhe pse nuk jane çrregjistruar me pare. Ministria e Mjedisit kërkon që përmes këtij ligji t’i japë fund krijimit të këtyre mbetjeve.

“Makinat në fund të funksionit janë makina që duhet t’i nënshtrohet një procesi të çregjistrimit dhe të shkatërrimit dhe ky ligj parashikon të gjithë hapat që duhen marrë. Fakti është që baza ligjore aktuale, Kodi Rrugor dhe ligji që parashikon disa elementë, nuk është i mjaftueshëm dhe aktualisht nuk është zbatuar”, tha Abeshi.

Per çdo pronar automjeti qe nuk do te zbatoje kete ligj do te ndermerren gjoba, nga Inspektoriati i Mjedisit.

Top Channel