“Kodak” drejt falimentimit

19/01/2012 00:00

“Eastman Kodak”, kompania që shpiku aparatin fotografik, ka bërë një kërkesë për mbrojtje nga falmentimi.

Lëvizja në fjalë i jep kompanisë kohë për t’u riorganizuar pa u përballur me kreditorët e saj, që do të thotë se shitja për klientët do të vazhdojë normalisht.

Së fundmi kompania është tërhequr nga prodhimi i aparateve fotografike, duke u përqendruar tek ai i printerave, për të rimëkëmbur përfitimet që kanë ardhur në rënie.

Firma 133-vjecare po lufton për të qenë në një nivel me konkurrentët e saj, të cilët u treguan më të shpejtë për t’iu përshtatur epokës dixhitale.

Duke njoftuar kërkesën e saj për ndihmë nga falimentimi, presidenti i “Kodak”, Antonio M Perez deklaroi: “Bordi i drejtorëve dhe gjithë grupi i menaxherëve besojnë unanimisht se ky është një hap i nevojshëm dhe gjëja e duhur për të ardhmen e kompanisë”.

Kompania njofton gjithashtu se ka arritur të sigurojë një kredi prej 950 milionë dollarësh nga “Citigroup”.

Që kur u bë drejtor ekzekutiv, zoti Perez ka qenë përgjegjës për kalimin e “Kodak” nga prodhimi i aparateve tek ai i printerave shtëpiakë dhe atyre për punë.

Megjithatë, firma nuk ka arritur të ndalë rënien e fitimeve të saj. Lëvizja për të kërkuar ndihmë nga falimentimi vjen pasi “Kodak” dështoi në shitjen e katalogut të saj të patentave dixhitale vitin e kaluar.

Atëherë, “Kodak” paralajmëroi se do të mbetej pa para të thata nëse nuk do të gjente një blerës brenda vitit 2011.

Top Channel