Raporti dashuri-urrjetje mes nuses e vjehrrës

18/01/2012 19:10

Historia shekullore e dashurisë dhe urrejtjes midis vjehrrës dhe nuses ishte tema “pikante” e emisionit të “Pasdites” së ditës së mërkurë.

Për të diskutuar për këtë fenomen, psikologu Edmond Dragoti, aktivistja për të drejtat e grave, Iris Luarasi dhe balerina e “TOB”-it, Enada Hoxha, debatuan midis tyre për aspektet e ndryshme të këtij raporti.

Edmond Dragoti, psikolog, shpjegoi se: “Tradicionalisht, raporti kryesor me vjehrën është me nuset, sepse është nusja ajo që shkon përgjithësisht tek shtëpia e djalit. Breznitë kanë bashkëjetuar historikisht në shoqërinë shqiptare dhe vetëm së fundmi breznitë kanë filluar të ndahen të dhe jetojnë të veçuar. Vjehrrë-dhëndër janë marrëdhënie të rralla. Duke qenë se djali është dominant në raport, e ëma e tij kërkon të ruajë dominancën, ndërsa e ëma e vajzës kërkon më shumë pranimin e vajzës në familjen e burrit”.

Nga ana e saj, Luarasi dëshmoi se ka shumë raste që marrëdhënia midis nënës së djalit dhe bashkëshortes së tij është problematike, aq sa degjeneron në dhunë fizike ose psikologjike.

“Në qëndrën tonë, ka shumë raste të keqtrajtimit vjehrrë-nuse. Me statistika, të cilat i konsultova edhe një herë përpara emisionit, shumica janë raste të dhunës së burrit ndaj gruas, por ka edhe raste kur në të është e përfshirë vjehrra. Megjithatë, duhet parë dhe kur vjehrra është faktor në prishjen e raporteve mes çiftit, në atë që është një dhunë psikologjike apo kur nusja dhunon ajo vjehrrën. Rastet më të këqija, gjithsesi, janë ato kur vjehrrat janë përzënë prej nuseve të tyre dhe janë lënë pas asnjë mbështetje. Bëhet fjalë për gra të moshuara, që përgjithësisht nuk kanë asnjë derë se ku të trokasin”,

Duke u rikthyer tek faktorët që shkaktojnë konfliktin midis dy grave më të rëndësishme në jetën e një burri, Dragoti dëshmoi edhe disa arsye psikologjike përse ndodh ky diferencim.

“Nëna, e cila ka lindur djalin, e ka rritur, përkëdhelur, ndërruar, ushqyer e shumë më tepër, është bërë natyrshëm pjesë e hapësirës së tij personale. Çdo njeri ka hapësirat e tij, personale, publike apo shoqërore dhe nusja është pikërisht personi që cënon sferën personale, atë ku më përpara ndodhet vetëm nëna. Si rrjedhojë, cënohet roli i saj ndaj djalit dhe xhelozia apo konflikti është i natyshëm dhe i shpjegueshëm psikologjikisht”.

Të pyetura për marrëdhëniet e tyre personale me vjehrrat përkatëse, Iris Luarasi dhe Enada Hoxha dëshmuan marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat në rastin e tyre janë diktuar nga kalimi i natyrshëm i raporteve me partnerët nga shokë, me familjet e të cilëve njiheshin prej kohësh, në njerëz të jetës së tyre.

Në debat, pasi u përball me opinionin e disa vjehrrave të intervistuara që parapëlqenin të jetonin jo në të njëjtë banesë me djalin dhe familjen e tij, Luarasi theksoi se: “Ndërsa në shumë raste kjo është zgjidhja më e mirë, duhen konsideruar gjithmonë faktorët socialë. Për mendimin tim, secila zgjidhje është e pranueshme. Sidoqoftë, kur vjen një moshë e thyer në të cilën nëna e njërit prej fëmijëve nuk mund të kujdeset më për vehten, është detyrë e çiftit që të mbajnë pranë vjehrrin ose vjehrrën e tyre përkatëse”.

Top Channel