Ligji amerikan, Wikipedia “errësohet”

18/01/2012 15:35

Ashtu sic kishte paralajmëruar më parë, enciklopedia online, Wikipedia ka mbyllur përkohësisht versionin e saj në gjuhën angleze në shenjë proteste për ligjin anti-pirateri të miratuar së fundmi në Shtetet e Bashkuara.

Ky ligj prek më shumë Wikipedia-n dhe blogun WordPress, që i detyron të heqin nga të dhënat e tyre mijëra faqe material.

Protestës së Wikipedia i janë bashkuar me qindra faqe të tjera të internetit të cilat kanë “errësuar” versionet e tyre duke vendosur edhe citime që kundërshtojnë ligjin amerikan.

“Imagjinoni një botë pa dije?! Për më shumë se një dekadë në kemi shpenzuar mijëra orë për të ndërtuar enciklopedinë më të madhe të historisë së njerëzimit. Por pikërisht tani, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka marrë një vendim që mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme informacionin online. Për 24 orë, në shenjë proteste, ne po ‘errësojmë’ Wikipedia”, shkruhet në mesazhin e vendosur nga enciklopedia online.

Mes faqeve që janë solidarizuar me Wikipedian në këtë protestë, është edhe kolosi i kërkimit në internet, Google, që ka vendosur një apel poshtë “search” (sektorit të kërkimit): Thirrje drejtuar Kongresit: Ju lutemi, mos censuroni web-in.

Top Channel