Një salçiçe në ditë rrit shansin për tumore

13/01/2012 13:20

Një salçiçe në ditë rrit me 20% shanset e prekjes nga kanceri i pankreasit, zbuloi një studim i publikuar në një revistë shkencore.

Dhe lajmi i keq është që nuk duhet të shmangim vetëm salçiçet, por të gjitha format e mishit të përpunuar, që janë të gjitha tejet të dëmshme.

Tumoret e pankreasit janë ndër më të panjohurit për mjekësinë dhe shkaqet që i shkaktojnë ato mbeten shpesh tepër enigmatike. Megjithatë, një studim i një Universiteti Suedez konstatoi një lidhje direkte me një rritje deri në 20% të prekshmërisë nga sëmundja, midis konsumatorëve të mishit të procesuar.

Një rritje e tillë është e konsiderueshme, por sidoqoftë mbetet inferiore në krahasim me atë që shkakton duhanpirrja, e cila rrit shanset e prekjes deri në 74%.

Tumori pankreasit njihet gjerësisht si “vrasësi i heshtur”, pasi nuk shfaq asnjë shenjë të rëndësishme deri në stadet e vona të zhvillimit. Për këtë arsye, ai diagnostikohet në shumicë dërrmuese vetëm atëherë kur është shumë vonë.

Sipas të dhënave mjekësore në vendet e zhvilluara, vetëm 3% e të sëmurëve me tumor të pankreasit arrijnë të jetojnë më shumë se pesë vjet pas diagnostikimit.

Top Channel