McDonald’s kthehet në “librari”

13/01/2012 20:55

McDonald’s do të shndërrohet në shitësin më të madh të librave për fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar, por jo për faktin se do të shndërrohet në një rrjet librarish.

Në katër javët e ardhshme, zinxhiri i fast-food-eve më i famshëm në botë në vend të lodrës plastike që shpërndan gjithmonë për fëmijët, do të dhurojë së bashku me Happy Meal një libër të serisë “Mudpuddle Farm”, shkruar nga Michael Morpurgo.

Ky promocion vjen nga një marrëveshje mes McDonald’s dhe shtëpisë botuese Harper Collins dhe parashikon “shitjen” e 9 milionë librave të shoqëruar me “Happy Meal”. Në këtë mënyrë, në një muaj McDonald’s do të shesë më shumë libra se sa të gjitha shtëpitë botuese të librave për fëmijë të marra së bashku.

Imazhi i mcDonald’s ishte dëmtuar paksa pikërisht nga ushqimi “Happy Meal” (hamburger, pulë e skuqur, patate të skuqura) që akuzohej se nuk ishte i mirë për shëndetin e fëmijëve, por tashmë të apasionuarit pas letërsisë me siguri do të ndryshojnë mendim.

Tetë familje nga dhjetë konsumojnë ushqimet e McDonald’s të paktën një herë në vit në Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel