Gjyshe apo babysitter për të rritur fëmijët

12/01/2012 19:10

Në shoqërinë shqiptare një babysitter për rritjen e fëmijës nuk është më një fenomen i ri. Kjo mënyrë po fiton gjithnjë e më shumë terren ndonëse nga e kaluara kishim trashëguar rritjen e fëmijëve në kopshte , çerdhe apo edhe nga gjyshet dhe gjyshërit.

Profesioni i babysitterit është më së shumti një punë që kryhet nga persona të pakualifikuar, por ky nuk është rasti i Elsa Jonuzit.

“Unë kam 4 vjet që punoj si babysitter pasi kam kryer një kurs trainimi. Më parë kam rritur dy binjakë dhe tani kam 4 muaj që kujdesem për Anjelin dhe Dean”, thotë Elsa.

Babysiter nuk nënkupton vetëm kujdesin dhe ushqyerjen e një fëmijë, por i gjithë procesi ka të bëjë me mënyrën e edukimit, argëtimit dhe njohjen me psikologjinë e të voglit. Teksa ushqen Dean dhe Anjelin e vogël, Elsa tregon se nuk e ka patur vështirësi të ambientohet në familjet ku është kujdesur për fëmijët.

“Nuk e kam pasur të vështirë sepse të kujdesem për fëmijët e kam pasion. Në familjen e parë që kam punuar nuk e pata të vështirë, fëmijët u mësuan menjëherë me mua”, shprehet Elsa.

Por jo të gjithë zgjedhin që fëmijën e tyre ta rrisin me një babysitter. Majlinda Velçani ka vendosur të kujdeset vetë për rritjen e nipit 4-vjeçar.

“Joni është nipi im i parë, mjalti i mjaltit kur i thonë. Unë jam kujdesur për Jonin që kur ka lindur, pastaj e kam çuar në kopësht”, tregon Majlinda.

Dashuria e gjyshes për nipin është ajo që lidh më shumë Majlindën më Jonin e vogël.

“Mirë do ishte edhe një dado, por siç e mban gjyshja nuk e mban dadoja, unë meqë kam mundësi pse mos ta mbaj”, thotë gjyshja.

Top Channel