Inxhinieri britanik që “profetizoi” celularin

11/01/2012 15:50

Cfarë do të ndodhë pas 100 vitesh? Me këtë titull nis reportazhi i një inxhinieri britanik, të publikuar në fillim të viteve 1900 në revistën “Ladies Home Journal”.

Inxhinieri gazetar, John Elfreth Watkins mbi 100 vjet më parë do të shkruante: Do t’ju duket e cuditshme por në 100 vitet e ardhshme do të… duke vijuar me radhë “profecinë” e tij mbi transportin, celularët, fotografinë, rritjen demografike, ndryshimet gjeografike, speciet që do të zhdukeshin, gjuhësinë etj etj.

Në këtë gamë të gjërë parashikimesh, shumë prej tyre janë realizuar. P.sh Watkins parashikoi shpikjen e celularit dhe komunikimin online kur thoshte se “pas 100 vitesh njerëzit do të flisnin, shikoheshin dhe do të shkëmbenin informacion duke mposhtur distancat e largëta, nëpërmjet telekamerave, njerëzit do të flisnin në telefon me Kinën e vende të tjera më të largëta, ashtu sic flitet brenda Nju Jorkut”.

Watkins ishte në gjendje të parashikonte zhvillimet shkencore dhe lindjen e mjeteve që për epokën kur ai jetoi as që mund të konceptoheshin. “Profecia” e tij ka zënë një vend të vecantë tek BBC që i ka kushtuar një shkrim të gjatë duke përmendur me radhë të gjitha arritjet e shkencës që ai parashikoi.

Por jo e gjithë gama e profecisë së Watkins ishte e saktë. BBC nënvizon edhe gabimet e inxhinierit, që parashikonte se rreth viteve 2000 njerëzit do të ecnin 16 kilometër në ditë, që makinat do të zhdukeshin nga qarkullimi në qytetet e mëdha, që minjtë, macet, kuajt dhe mushkonjat do të zhdukeshin, Nikaragua do t’i bashkohej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shkronjat C, X dhe Q do të humbnin vlerën e tyre në gjuhën angleze e për pasojë do të zhdukeshin nga alfabeti.

Top Channel