“Apple”, super bonus për pasardhësin e Jobs

10/01/2012 10:50

Me pak smirë, “Wall Street Journal” kujton se paga e Steve Jobs ishte “një dollar”. Ndërsa ajo e Tim Cook, pasardhësi i gjeniut kalifornian në krye të “Apple” në vitin 2011 ka qenë 377.996.537 dollarë.

Bëhet fjalë për një shifër marramendëse, që mund të shkojë fare lehtë pranë 400 milionë kartmonedha jeshile.

Por në të vërtetë, Cook nuk e ka futur në xhep shumën, pasi rroga e tij për vitin 2011 arrin “vetëm” në 900 mijë dollarë, 100 mijë më shumë se në vitin 2010, kur ai mbulonte rolin e shefit të operacioneve.

Pjesa tjetër i është atribuar në aksione të shoqërisë, që nuk do të mund t’i shesë para vitit 2016. Bëhet fjalë për një motiv të fortë për të qendruar në kompani dhe për të vazhduar të japë maksimumin për të.

Për më tepër, Cook do të marrë edhe një “shpërblim” për menaxhimin e fazës delikate të tranzicionit në muajt e fundit të jetës së Jobs, të cilin ai e zëvendësoi një herë në 2009 dhe në fillim të 2011-ës.

Një tranzicion që ndërmarrja e Mollës duhet ende të kalojë, sa në nivelin organizativ, aq edhe në atë psikologjik. Megjithatë, Cook po qeveris me vendosmëri.

Të paktën, duke parë shijet e tregut. Titulli i “Apple” në Nasdaq preku dje maksimumin historik, duke vajtur përtej 427 dollarëve, për t’u mbyllur më pas në 421.

Top Channel