Ekonomia 2012, shumë pesimizëm, pak shpresa

05/01/2012 08:00

Kriza e borxheve sovrane në eurozonë si dhe situata hidrike e vendit mund të përcaktojnë në masë të gjerë ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti.

Viti 2012 ka nisur me shumë pesimizëm në të gjithë botën. Ekspertë, politikanë dhe publicistë po vënë baste të rënda.

Disa besojnë se një apokalips ekonomik mund të ndodhë, ndërkohë që udhëheqësit e shteteve më të fuqishme të Europës, si Gjermania apo Franca folën pa shumë optimizëm dhe u përqendruan te vështirësitë që i presin gjatë këtij viti, ndërkohë që një qendër kërkimore britanike beson se probabiliteti i shpëtimit të euros këtë vit është shumë i ulët.

Në tërësi, dy faktorë madhorë pritet të përcaktojnë ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti: ecuria e krizës në eurozonë, nga ku varemi për të ardhurat nga transfertat e emigrantëve, eksporteve dhe turistëve; dhe e dyta, ecuria e situatës hidrike në vend, gjë që mund ta detyrojë Shqipërinë të shpenzojë shumë para për importin.

Kriza në eurozonë

Për momentin, tregjet në eurozonë janë relativisht të qeta, për shkakun e vetëm se muajin e kaluar, Banka Qendrore Europiane dha rreth 500 miliardë euro kredi për bankat e nivelit të dytë dhe e përdorën këtë mal me para blenë bonde sovrane të vendeve në vështirësi si Greqia e Italia.

Disa analistë mendojnë se kjo shumë parash, që nuk është asgjë tjetër veçse emision monetar, mjafton për të mbajtur likuid sistemin financiar të kontinentit për një apo dy muaj.

Ndonëse rreziqet në lidhje me euron janë të larta, ekonomia e Gjermanisë vijon të ecë më së miri. Papunësia në këtë vend ka rënë në nivelin më të ulët në dy dekada.

Rreth 1.1 milionë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në eurozonë rrezikojnë të mbeten pa punë për shkak të krizës. Ata i japin familjeve shqiptare mesatarisht 12 për qind të të gjitha të ardhurave të disponueshme.

Remitancat kanë disa vite që kanë rënë, por gjatë vitit 2011, ritmi i rënies qe edhe më i lartë. Në rast se remitancat vijojnë të bien, më shumë familje shqiptare dhe veçanërisht ato që jetojnë në fshat, do të zhyten në varfëri.

Në fshat, 18 për qind e të gjitha të ardhurave janë nga emigrimi, ndërkohë që në qytet emigrantët sigurojnë 7 për qind të të ardhurave. Remitancat janë thelbësore jo vetëm për buxhetet familjare.

Vlerësohet se një pjesë e madhe e kursimeve që shqiptarët kanë nëpër banka janë si pasojë e punës së emigrantëve, pasi pagat e ulëta të tregut shqiptar nuk lejojnë shumë kursime.

Nga ana tjetër, kriza në eurozonë mund të pakësojë kërkesën për eksportet e manifakturës shqiptare, të cilat përbëjnë burimin e jetesës për një të tretën e të gjithë shqiptarëve të punësuar.

Gjithçka do të varet nga fakti nëse Banka Qendrore Europiane dhe qeveritë e eurozonës do t’ia dalin apo jo të qetësojnë poseduesit e borxheve sovrane.

Në një skenar optimist, qetësimi i investitorëve dhe zgjidhja e krizës së borxheve do të mjaftojë që ekonomia e eurozonës të vijojë të punësojë emigrantët shqiptarë.

Nga ana tjetër, një pjesë e emigrantëve shqiptarë që u shpërngulën nga Greqia në drejtim të vendeve të tjera të pasura gjatë viteve 2009 dhe 2010, këtë vit ka gjasa që do të jenë stabilizuar në vendet ku kanë shkuar. Nga të ardhurat e emigrantëve varet ecuria e konsumit të brendshëm të ekonomisë shqiptare dhe nga kjo e fundit varen të ardhurat e qeverisë.  

Shiu nga qielli

Shqipëria është edhe një herë në mëshirë të sasisë së shiut që hidhet nga qielli. Vendi po importon aktualisht 17 milionë kWh në ditë, e barabartë kjo me mbi 1 milion euro.

Në rast se kjo situatë zgjat për disa muaj, faturat e importit do të rëndojnë drejtpërsëdrejti te buxheti i shtetit, i cili sakaq është në gjendje të vështirë. Nga eksperienca e viteve të shkuara, Shqipëria ka importuar nga 50 në 200 milionë euro energji brenda një viti.

Këtë vit, importi mund të kushtojë rreth 100 milionë euro sipas vlerësimeve të KESH-it. Kjo është një shumë e mjaftueshme për të krijuar shqetësime serioze për buxhetin e shtetit.

Duke qenë se KESH ka shumë gjasa që do t’i drejtohet bankave me garancinë e qeverisë për të siguruar këto para, krediti për ekonominë e gjerë do të rritet më ngadalë, gjë që nënkupton rritje të dobët ekonomike.

Parashikimi për rritjen

Qeveria është e vetmja që beson se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 4.1 për qind gjatë këtij viti në terma reale, e llogaritur kjo mbi rritjen 3.9 për qind të projektuar për vitin 2011, që tashmë rezulton tërësisht e pamundur. Vlerësimet e FMN-së flasin për rritje 2.5 për qind, BERZH parashikon rritje edhe më të dobët.  

Bilanci i buxhetit

Hapësira e manovrimit të qeverisë me financat publike është e destinuar të ngushtohet edhe më tej këtë vit. Qeveria ka programuar shpenzime prej 2.87 miliardë eurosh, nga të cilat, rreth 298 milionë euro do të mbulohen me borxhe.

Gjatë vitit 2011, qeveria anuloi pagesat e orëve shtesë të administratës, anuloi shpërblimin e Vitit të Ri për pensionistët, hoqi pagesat ekstra për të punësuarit e administratës me tituj shkencorë si dhe rriti taksat e karburantit, taksat e makinave dhe akcizën e duhanit.

Në vitin 2012, veprime të tilla bëhen më të vështira për t’u hequr. Qeveria nuk ka më mundësi të rrisë më tej akcizat e cigareve apo të naftës dhe nuk ka pagesa ekstra për t’i anuluar të punësuarve në shtet.

Fondi i investimeve prej 505 milionë eurosh këtë vit përbëhet në masën dërrmuese nga kredi të huaja të kontraktuara (veçanërisht për rrugën Tiranë-Elbasan) dhe nëse do të vijë çështja për reduktim të shpenzimeve, nuk do ta ketë aq të lehtë sa në vitet e shkuara.

Si për t’i shtuar kokëçarjen, edhe dividenti i Bankës së Shqipërisë, që zakonisht është në rendin e 50 milionë eurove në vit, në 2012 do të jetë më i vogël për shkak të investimeve që BSH po kryen për ish-hotel “Dajti”. Qeveria do të duhet të mbulojë edhe faturat e importit të dritave, të cilat nuk janë parashikuar në buxhetin e këtij viti.

Qeverisë i mbetet opsioni i shitjes së aseteve publike, por me përjashtim të katër hidrocentraleve që dëshiron t’i shesë, por që po nguron për shkak të kostos politike që mbart privatizimi i aseteve të tilla të çmuara, nuk ka mbetur ndonjë ndërmarrje e vlefshme për shitje. ‘Albpetrol’, privatizimi i së cilës u miratua së fundmi, besohet se nuk ka ndonjë vlerë të madhe.

Kostoja e borxhit publik u reduktua vitin e shkuar kryesisht për shkak të zëvendësimit të bonove të thesarit afatgjata me bono afatshkurtra. Por kjo strategji është e përkohshme, dhe këtë vit, kursimet e 2011 mund të kthehen në bumerang.  

Varianti optimist

Dy faktorët që rrezikojnë ekonominë shqiptare mund të zgjidhen. Kriza e eurozonës mund të marrë një drejtim këtë vit, dhe kjo ka më shumë gjasa se sa alternativa e apokalipsit të shpërbërjes së euros. Edhe situata hidrike mund të zgjidhet në rast se bie shi.

Këta dy faktorë mund të kthejnë Shqipërinë relativisht në normalitet. Ndalesa e rënies së të ardhurave nga remitancat mund të mjaftojnë që konsumi i brendshëm të rritet së bashku me të ardhurat nga taksat.  

Top Channel