Qeveria ka marrë 11 milionë dollarë borxh nga bankat private me afat
maturimi 3-vjecar. Në ankandin e zhvilluar një ditë më parë nga Banka e
Shqipërisë Ministria e Financave kishte planifikuar ta merrte borxhin me
interes 8.65 për qind, por në fakt është detyruar ta paguajë atë 0.41
pikë përqindje me lartë ose 9.06 për qind.

Kjo është hera e dytë kur qeveria i drejtohet tregut për borxh për të paguar shpenzimet në këto ditë të para të vitit 2012. Ankandi i mëparshëm ishte ai i datës 29 dhjetor, ku qeveria përmes një procedure të jashtëzakonshme mori 34 milionë dollarë borxh, të cilat u disbursuan nga bankat në datën 3 janar.  

Burime per Top Channel thane se borxhi i marrë nga të dy ankandet do të shkojë për të paguar pagat e administratës, por edhe disa shpenzime të tjera të qeverisë, pasi mbyllja e buxhetit të vitit 2011 e ka lënë arkën e shtetit të zbrazur.

Por kërkesa e lartë dhe nevoja urgjente e qeverisë për borxh që në ditët e para të vitit ka bërë që interesat e letrave me vlerë në treg të rriten. Në të dy ankandet shuma që qeveria ka kërkuar të marrë borxh ka qenë më e lartë se sa ajo që kanë ofruar bankat.

Respektivisht në ankandin e parë Ministria e Financave kërkoi 4 miliardë lekë por bankat ofruan 3.5 miliardë lekë. Kjo bëri që interesat e bonove njëvjecare të rriten në vetëm dy ditë nga 6.7 në 7 për qind duke rritur barrën e interesave që qeveria paguan nga taksat e qytetarëve.

Po kështu edhe në ankandin e një dite më parë qeveria kërkoi 1.5 miliardë lekë borxh, por bankat ofruan vetëm 1.17 miliardë lekë dhe kjo solli rritjen e interesit të synuar nga 8.65 për qind në 9.06 për qind. Ekspertët thonë fillimi i vitit ëështë një periudhë jo e mirë për likuiditet ndaj rritja e interesave që qeveria paguan për borxhin ishte e pritshme. Por sipas tyre kjo situatë është e përkohshme dhe pritshmëritë janë që interesat e letrave me vlerë këtë vit të qëndrojnë në nivele të ulëta. Qeveria planifikon në buxhet që për gjithë vitin 2012 të marrë nga tregu i brendshëm 18 miliardë lekë borxh, që sipas ekspertëve është lehtësisht i përballueshëm me situatën aktuale të likuiditetit në banka.

Top Channel