Tableta-t dhe smartphone-t, bum virusesh në 2012

03/01/2012 00:00

Moda e smartphone-ve dhe tablet-ave në vitin 2012 do të “infektojë” edhe
prodhuesit e viruseve, të uritur nga numri gjithnjë e më i lartë i
përdoruesve të këtyre produkteve.

Parashikimi bëhet nga disa ndërmarrje informatike, që gjatë vitit që sapo lamë pas kanë regjistruar një prirje në rritje të këtyre infektimeve.

“Platforma Android po bëhet e preferuara për sulmet pirate për shkak të modelit të saj të shpërndarjes së aplikacioneve plotësisht të hapur”, thuhet në raportin e Trend Micro.

Ndërsa sipas shifrave të kompanisë tjetër McAfee, në tremujorin e tretë të vitit 2011 aplikimet “malware” që kanë goditur sistemin operativ të shpikur nga Google kanë pësuar një rritje prej 37 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, që gjithësesi kishte regjistruar një rritje prej 76 për qind krahasuar me të mëparshmin.

Në tërë vitin 2011 ndërmarrja informatike pret të arrijë në një rekord prej 75 milionë rastesh “malware” të izoluar në botë.

Përsa i përket tendencës së vitit 2012, kompania parashikon që modë e sulmeve informatike të jenë zbulimi i fjalëkalimeve për kë përdor opsionin “home banking” dhe vjedhjet e monedhës virtuale.

“Edhe sulmet me motive politike do të rriten, ashtu si dhe ato kundër figurave publike”, parashikon më tej raporti.

Top Channel