Britania merr masa për Euron

29/12/2011 00:37

Britania është duke punuar që të mos gjendet e pa përgatitur në rast të një kolapsi eventual të euros, cka mund të cojë në një dyndje masive vlerash monetare dhe njerëzish drejt ishullit, që nuk është pjesë e eurozonës.

Ministria e Financave ka hartuar plane kontigjent për pengimin e investitorëve për transferimin e shumave të mëdha të parave në kesh nga eurozona drejt Britanisë, pasi një gjë e tillë do të cojë në rritjen e vlerës së Stërlinës. Mësohet se Britania mund të mbyllë përkohësisht edhe kufijtë saj ndaj refugjatëve ekonomikë nga Evropa, nëse kolapsi i euros do të cojë në trazira sociale në kontinent.

Sakaq, mësohet se edhe Forin Ofis dhe Ministria e Mbrojtjes po punojnë për planet kontigjent për evakuimin e mijëra shtetasave ose pushueseve britanikë në vendet që mund të goditen nga falimentimi i euros. Megjithatë zyrtaret britanikë thonë se masat janë vetëm plane dhe nuk thonë që qeveria britanike mendon se kolapsi i euros është një gjë që do të ndodhë shumë shpejt.

Megjithatë përtej gjuhës diplomatike në publik, zyrtarët britanikë, sipas shtypit vendas, besojnë se vende si Greqia dhe Portugalia, mund të detyrohen të dalin nga euro, për të zgjidhur problemet e mëdha në ekonomitë e tyre respektive.

Sipas njoftimeve anekdotike, sugjerohet se investitorë të pasur dhe individë nga vende si Greqia, janë ndërkohë duke transferuar para në Britani, duke blerë prona në Londër.

Thesari britanik, beson se një shpërbërje e eurozonës mund të bëjë që invetsitorët ndërkombëtarë të kërkojnë një “parajsë të sigurt” për paratë e tyre.

Sipas zyrtarëve britanikë po hartohen plane për vendosjen edhe të limiteve strikte për sasitë e parave që mund të hyjnë ose transferohen jashtë Britanisë. E njëjta gjë po bëhet edhe për të kufizuar impaktin ndaj bankave kryesore britanike, që së bashku janë të ekspozuara në shumën e 170 miliardë eurove të vendeve si Greqia, Irlanda, Portugalia, Italia dhe Spanja.

Marrja e masave të tilla edhe pse cilësohen kontigjent në vendin ku lindi kapitalizimi dhe që aktualisht është zemra financiare e kontinentit, është një ogur jo i mirë për atë cka mund të ndodhë në Eurozonë në vitin e ardhshëm, edhe pse mohohet zyrtarisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA