Pasdite në TCH: Blerjet e zgjuara

28/12/2011 19:10

Viti i ri është një periudhë blerjesh. Në prag të tij, ndërsa të gjithë mendojnë për dhuratat që duhet të bëjnë dhe për tryezën e mbrëmjes festive, emisioni i “Pasdites” në “Top-Channel” u erdhi në ndihmë shqiptarëve duke i dhënë disa këshilla praktike për mënyrën se si të blerjnë në mënyrë të zgjuar.

Elona Varfi, ekonomiste, e pranishme në studio dhe një eksperte e blerjeve në këtë periudhë të vitit, shpjegoi se gjëja kryesore që duhet krijuar është një balancë në mendje. “Ndërsa burimet tona janë të kufizuara, dëshirat nuk janë të tilla. Për të arritur maksimumin e kënaqësisë në blerjet tona, është e rëndësishme të bëjmë një listë me gjërat më të nevojshme. Kështu, e kemi më të thjeshtë të kuptojmë nëse një çmim i caktuar ia vlen për t’u shpenzuar për një produkt të caktuar”.

Sipas saj, “vjen një moment kur balanca bëhet automatikisht. Por, në mënyrë që kjo të ndodhë, është e rëndësishme që tregu të studiohet paraprakisht”.

Por, cili është momenti më i mirë për të bërë blerje? “Diçka e tillë varet nga ajo që duam të blejmë”, shpjegon ekonomistja. “Përsa i përket ushqimeve, është e rëndësishme që të mos lihen për në fund, sepse çmimi i tyre është gjithmonë më i lartë në këtë periudhë. Nga ana tjetër, për dhuratat është mirë të mos blihen menjëherë. Ata persona që festojnë vetëm Vitin e Ri, duhet të presin të kalojnë Krishtlindjet, pasi menjëherë pas tyre ka ulje”.

Sipas Vorfit, është e rëndësishme që të mos neglizhohen edhe fletushkat që të vijnë poshtë derës së shtëpisë. “Ato të kursejnë kohë, prandaj janë të dobishme. Nëpërmjet tyre, nuk ke përse të dalësh për kontroll, pasi këtë mund ta bësh që më parë paraprakisht nëpërmjet lajmërimeve. Megjithatë, dalja në terren është gjithmonë e rëndësishme. Personalisht do të këshilloja fillimisht një kontroll si vizitor, pa marrë me vete para apo karta krediti. Blerjet, është e këshillueshme të bëhen herën e dytë”.

Emisioni i “Pasdites” solli në kronikën e tij një garë midis dy zonjave, që me një shumë të njëjtë parash kishin si detyrë të blinin sa më shumë produkte ushqimore në supermarketin “Euromax”, në Tiranë. Emisioni mund të ndiqet i plotë në galerinë tonë të videove në internet.

Top Channel