Izrael, 100 priftërinj rrihen me shkopinj

28/12/2011 16:00

Mbi 100 priftërinj dhe murgj ortodoksë dhe armenë u përleshën midis tyre, gjatë përgatitjeve për të festuar Krishtlindjet Ortodokse, në kishën e “Lindjes” në Betlehem.

Kisha ka një rëndësi të veçantë shpirtërore për të gjithë komunitetet fetare kristiane, pasi është ndërtuar mbi vendin ku besohet se lindi Jezu Krishti.

Në këtë sherr masiv u përfshinë klerikët e Kishës Greke Ortodokse dhe Kishës Armene. Rreth 100 priftërinj, që ndodheshin në vendngjarje për të përgatitur kishën për meshën solemne, u përleshën me shkopinj dhe fshesat që kishin në dorë.

Policia palestineze ndërhyri dhe shpërndau zënkën duke përdorur shkopinj gome dhe mburoja. Komunitetet e ndryshme fetare lejohet të përdorin me orare kishën për shërbesat e tyre dhe si rrjedhojë, zënkat kanë qenë të natyrshme, edhe pse nuk ishte parë asnjëherë një përplasje kaq masive.

”Asnjë person nuk u arrestua dhe shoqërua në polici, pasi ata që u përfshinë në këtë sherr ishin të gjithë njerëz të Zotit”, konfirmuan burime policore.

Top Channel