Një Catwoman kineze që ndihmon të varfërit

27/12/2011 00:00

Një heroinë sexy, që gjatë natës përshkon rrugët e Pekinit e veshur si
Catwoman, duke ndihmuar të varfërit dhe të pastrehët, po arrin një
sukses madhështor në faqet kineze të internetit.

Heroina deri tani ka regjistruar në mikroblogun e saj mbi 20 mijë fansa dhe prej disa ditësh mbi platformën e mikroblogut kinez Sina Weibo janë shfaqur pamjet e saj, të veshur me një tutë të zezë dhe me maskë.

E identifikuar me pseudonimin “Beijing Bauhinia”, fotot në web tregojnë se si gjatë natës heroina bredh nëpër kryeqytetin kinez duke shpërndarë ushqime, rroba, batanije dhe ilace për të varfërit dhe të pastrehët.

Emri “Bauhinia e Pekinit” vjen nga një lule e njohur në Hong Kong, që mban pikërisht emrin Bauhinia, që është përdorur më parë nga një grua tjetër, që bënte pikërisht të njëjtat gjëra.

Gruaja, që nga fotot e publikuara duket shumë e re, ka hapur llogarinë e saj në internet të enjten e kaluar, duke treguar eksperiencat e saj me të varfërit e Pekinit.

Lajmi për bamirësen seksi ka ngjallur komente të ndryshme. Nuk mungojnë edhe polemikat. Sipas disave, gruaja vetëm sa po përpiqet të tërheqë vëmendjen dhe të fitojë popullaritet.

Top Channel