Nuk duhet fallxhori, të ardhmen e parashikon mjeku

26/12/2011 16:50

Të gjithë fallxhorët dhe parashikuesit e tjerë të së ardhmes mund ta shohin veten shumë shpejt të papunë, pasi për të patur një parashikim të saktë do të mjaftojë që të shkosh tek mjeku.

Kërkuesit e Universitetit të Kalifornisë, në Los Anxhelos, kanë zhvilluar atë që e kanë quajtur pajisjen e “leximit të trurit”, e cila është në gjendje të lexojë historinë e shkuar, për të përcaktuar se si do të reagojë truri ynë në të ardhmen, ndaj emocioneve dhe situatave të papritura.

Pak a shumë, ajo që do të bëjë pajisja është e njëjtë me atë që bën një motor kërkimi si “Google”, i cili duke u nisur nga një fjalë kyç, nxjerr mundësitë më të shpeshta rreth kërkimit që po bëjmë.

Një studim paraprak u krye mbi një grup vullnetar duhapirësish, të cilëve iu kërkua që të përpiqeshin të hiqnin dorë nga duhanpirja. Përpara se të bënin këtë, ata panë një video rreth rreziqeve që shkakton cigarja dhe gjatë këtij procesi, truri i tyre u analizua nga një skaner.

Duke u bazuar në impulset dhe reagimet konjitive të trurit, pajisja parashikuese ishte në gjendje që të parashikonte me një saktësi të madhe se cili prej duhanpirësve do të arrinte që realisht të linte cigaren dhe cilët nuk do t’ia dilnin mbanë.

Top Channel