Lodrat e Krishtlindjeve mund të merren me qira

24/12/2011 00:00

Sa do të zgjasë pasioni i fëmijës suaj për lodrën e blerë për festat e
fundvitit? Pas sa muajsh apo javësh, do të përfundojë në një cep, duke
mbledhur pluhur?

Tani ekziston një mënyrë për t’u kënaqur dhe për të shmangur harxhimet e kota. Lodrat mund të mos blihen, por të merren me qira. Nga SHBA po përhapet antidoti për akumulimin e objekteve të kota në dhomat e fëmijëve. E para që e ka prezantuar këtë nismë është “babyplays.com”, një shoqëri e vogël tregtare që funksionon online: e themeluar, jo rastësisht nga një grup mamash sipërmarrëse.

Njerëz që kuptohen me njëri-tjetrin, të pajisura me sens praktik dhe të afta të revolucionarizojnë shoqërinë e konsumit, duke nisur nga “miti” i festës dhe dhuratave për Krishtlindje dhe së dyti nga paqëndrueshmëria e fëmijëve. Themeluesja e “babyplays.com”, Stephanie Weber, ka mbërritur tashmë në Krishtlindjen e saj të katërt dhe biznesi nuk ka ecur kurrë më mirë se tani.

Viti i themelimit të “babyplays.com” është 2007-a, periudha kur bota u përfshi nga kriza e tmerrshme ekonomike. Është pikërisht Weber që ka krijuar sajtin e aksesit të shoqërisë, që më shumë miqësor nuk mund të ishte. “Angazhimi ynë është të argëtohemi. Jo çrregullimeve”, janë dy nga sloganet që shfaqen në faqen e parë të sajtit. Plot ngjyra, ju propozoj tri formula “lowcost”: më e thjeshta, që mund të shërbejë si test, është qiraja e një lodre që shkon 3 deri në 9 dollarë, përfshi edhe dërgimin në shtëpi.

Pastaj është edhe abonimi nga 20 dollarë, që ju jep të drejtën për të këmbyer rregullisht lodrat, duke ridorëzuar ato të përdorurat: deri në katër lodra çdo dy muaj. Në fund formula e luksit parashikon një rotacion prej 4 lodrash në muaj 33 dollarë gjithsej. Në katalog ka gjithçka, oferta është e pasur me ato lodra që i pëlqejnë më shumë fëmijëve në muajt e parë të jetës. “Grupi i klientëve që deri tani na kanë dhënë më shumë kënaqësi janë nga të sapolindur deri në 4 vjeç”, shpjegon themeluesja.

Në dhjetëshen e lodrave më të kërkuara janë: tastiera zanore shumëngjyrëshe që të lejon të mësosh shkronjat e alfabetit, treni prej druri që transporton kafshët e fermës, tullat prej druri që të ndihmojnë të ndërtosh shtëpi. Ka edhe produkte të përshtatshme për më të vegjlit: si zogj me ngjyra dhe muzikë qetësuese për t’u varur te krevati, apo një gjarpër plot ngjyra edhe me muzikë dhe këngë për t’i vënë të vegjlit në gjumë. Në moshën 3 apo 4 vjeç pëlqehen shumë lodrat elektronike. Ka edhe aparate elektronike të sofistikuara për më të rriturit. Nuk mungojnë produktet e firmave më në zë të këtij sektori si “Fisher Price”, bashkë me ofertat artizanale. Nëse shumë prindër kanë pasur frikën e higjienës ngaqë lodrat janë përdorur edhe nga të tjerët e që fëmija i tyre mund t’i fusë edhe në gojë pa dashje, në faqen e internetit shkruhet qartë: “Për të gjithë prindërit që kanë merak, po ju themi se të gjitha produktet tona janë të dezinfektuara me detergjentë biologjikë”. Por nëse ndodh që brenda pak orëve fëmija mund ta thyejë apo dëmtojë lodrën? “Jemi të gjitha nëna, ndaj është parashikuar zëvendësimi pa asnjë shtesë në çmim”, vazhdon më tej Weber. Është për t’u habitur në gjithë këto vite që funksionin kjo shoqëri, ka pasur shumë pak “incidente me lodrat”. Fleksibiliteti është total: nëse më vonë fëmija nuk dëshiron të heqë dorë nga lodra që ai merr me qira, ka edhe mundësinë për ta blerë, sigurisht me çmimin e një produkti të përdorur, 30 apo 50 për qind më pak. Suksesi i kësaj iniciative që “New York Times” i ka kushtuar një faqe të tërë, po tregon hapat se si po ndryshon Amerika. “Babyplays.com” renditet e para në krye të shumë nismave të tilla në fusha të ndryshme: lulëzojnë në çdo cep të SHBA-së ata që marrin me qira nga bredhat e Krishtlindjeve (dhe i kthejnë pas festave, deri te librat virtualë. Me pak fjalë, sot të gjithë e kemi kuptuar se jetojmë një botën e aksesit ndaj gjërave, ku e rëndësishme është të mund të përdorësh gjërat, jo t’i akumulosh ato. Fëmijët këtë vlerë e kanë që nga lindja. “Pas moshës 4-vjeçare, nisi të zhvillohet tek ata dëshira për t’i pasur lodrat e tyre personale”, shpjegojnë në “Babyplays.com”, edhe kjo vetëm pas ekspozimit ndaj zakoneve të këqija të të rriturve.

Top Channel