Fëmijët që nuk shijojnë festat

23/12/2011 19:35

Valentina Karemani është vajza më e shkathët në Shtëpinë e Foshnjes në kryeqytet, pavarësisht nga mosha.

Thotë se është 5 vjeç, por në fakt nuk i ka mbushur ende tre.

Para një viti, atëhere kur sapo kishte filluar të hidhte e sigurt hapat e parë, vogëlushja u përball me dramën më të madhe të jetës: braktisjen. Prindërit e kishin lënë të vetme në mes të rrugës.   

Policia e solli në Shtëpinë e Foshnjes të traumatizuar. Punonjëset sociale dhe edukatoret e institucionit tregojnë se në fillim Vali mezi fliste dhe nuk afrohej me njeri.

Por tanimë situata është tjetërsuar. Jo vetëm që ia ka dalë të flasë, por edhe këndon e reciton shumë bukur.

Edukatoret thonë se Valentina është shumë e dhënë pas librave dhe veçanërisht pas njërit me figura të cilin e merr me vete kudo që leviz.

Mban mend të gjithë emrat e shokëve dhe shoqeve të grupit dhe t’i prezanton me shumë kënaqësi.

Pa asnjë dyshim Vali i ka rrëmbyer zemrat e të gjithëve në këtë strehë foshnjash të braktisura.

Anita Marku, vajza që kalon festat në spital

“Jam Anita Marku, jam 9 vjeçe dhe jetoj në Sarandë.”

Anita është banorja më e re e pavionit të Pediatrisë në kryeqytet. Mjekët e kanë diagnostikuar me mungesë të zhvillimit të gjendrës tiroide, gjë e cila e pengon të rritet.

“Herën e fundit isha 1.19 cm dhe 26 kg”, thotë Anita.

9-vjeçarja matet dhe peshohet pothuaj çdo ditë me shpresën se përmasat e saj kanë ndryshuar.

“Unë nuk jam rritur që nga klasa e parë dhe shoqet e mia janë më të mëdha se unë”, shton nxënësja e klasës së katërt.

Anita mundohet të flejë sa më shumë gjumë pasi i kanë thënë se gjumi të rrit. Edhe pse me oreksin i ka pak punët keq, është e bindur se do ta kapërcejë këtë problem shëndetësor dhe do rritet si shoqet e saj. Madje ka dhe pikësynimin e saj për gjatësinë që do të arrijë: “Kam dëshirë të bëhem 1.80 cm.”

Përsa i përket preferencave, i pëlqen shumë të bëjë fotografi dhe madje dhe thonjtë i lyen vetë. Por, kjo s’do të thotë se preferon të bëhet modele. Shqetësimi që ka e orienton drejt një tjetër dëshire.

Megjithëse është nën trajtim mjekësor, festat i pret me të njëjtin padurim si shërimin.

“Më pëlqejnë Krishtlindjet, babagjyshi dhe që të bjerë borë për Krishtlindje”, thotë Anita.

Lutjeve nën zë për shërimin ajo i bashkon dhe dëshirën e çdo fëmije në këtë prag festash: “Dëshiroj të më sjellë Babagjyshi një kukull barbi të gjatë e të bukur.”

Top Channel