Paris SG lajmëroi të enjten për largimin nga puna të trajnerit Antoine Kombouare, një lëvizje që i hap përfundimisht rrugën emërimit të Carlo Ancelottit në krye të klubit të kryeqytetit francez.
Vendimi i largimit të Komboure përflitej prej kohësh, ndonëse askush nuk e besonte se mund të ndodhte me të vërtetë vetëm disa ditë pasi Paris SG u ngjit në krye të renditjes së kampionatit.
Marrëdhënia midis tij dhe drejtorit teknik, Leonardo, nuk ishte asnjëherë e mirë dhe tashmë parizienët janë vënë në kërkim të një emri të madh. Ancelotti dhe Rijkaard janë dy favoritët.
Ish-trajneri i Milanit dhe Chelsea është shprehur disa herë se do t’i pëlqente të drejtonte sërish në Premier League, por asnjë nga klubet kryesore nuk duket se mund të ndërrojë trajner së shpejti.
Nga ana tjetër, në “Parc des Princees”, atij do t’i jepej në dorë një “çek i bardhë” për të bërë të gjitha blerjet që dëshiron dhe për të udhëhequr një projekt, i cili duhet ta shndërrojë Paris SG në një prej klubeve më të fortë të Europës.
Top Channel