Femra e parë e forcave RENEA

21/12/2011 19:20

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që në trupat speciale të RENEA-s, të bëjë pjesë një femër. Madje, këtë fenomen shumë rrallë e kemi parë edhe në filma…

Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për diskriminim gjinor, por për vështirësi dhe vetësakrifikim: deri në humbjen e jetës!!!

Megjithatë, Rezarta Hoxhaj është femra e parë që ka arritur të jetë pjesë e trupave speciale të RENEA-s. Ka forcën e një burri dhe në të gjitha anët është e rrethuar vetëm nga meshkuj.

“Nuk është hera e parë që unë punoj me meshkuj, përkundrazi, në këtë repart unë ndiehem më e privilegjuar, më e mbrojtur…”, shprehet e reja kurajoze.

Ishte femra e vetme që mori pjesë në konkursin e zhvilluar disa muaj më parë nga RENEA. Nga rreth 30 konkurentë, u kualifikuan vetëm katër, Rezarta dhe tre meshkuj.  Me 85% të pikëve, vlonjatja arriti të  sigurojë vendin e parë në renditje, duke ia kaluar edhe djemve.

Bën pjesë në grupin e zhytjes “G 7” dhe në janar do të jetë pjesë e një programi stërvitor.
Thotë se sporti dhe basketbolli e kanë ndihmuar të arrijë kuotat, por nëse do t’i duhej të zgjidhte mes dy pasioneve, cila do të ishte zgjedhja?

“Nuk e kisha menduar ndonjëherë diçka të tillë. Pa dyshim, sporti është një pasion për mua, por nëse do të më duhej të vihesha përpara një zgjedhje, nuk ka dyshim që do t’i jepja përparësi punës”, shprehet e reja.

Pavarësisht se është femër dhe ende nuk ka qenë pjesë e ndonjë operacioni, shpreson që të mos ketë diferencime gjinore. Mashkull apo femër, kjo nuk ka rëndësi. Për të detyra është detyrë!

Top Channel