Qeni shkakton kaos në aeroport

20/12/2011 15:30

Një qen shkaktoi një kaos të vërtetë në aeroportin e Mançesterit, pasi “shëtitja” e tij në pistë shkaktoi vonesa të shumta gjatë së martës.

12 avionë u vonuan, ndërsa njëri në fluturim u detyrua të ulej në një aeroport alternativ, 100 kilometra më tej. Sigurisë së aeroportit iu nevojit një kohë prej 40 minutash për të kapur qenin endacak, i cili dredhonte në hapësira të ngushta midis avionëve të parkuar.

Një zëdhënës i aeroportit tregoi se pronari i tij e kishte lënë përkohësisht të lirë në parkimin e jashtëm, por qeni ishte zhdukur dhe në një mënyrë të pashpjegueshme, kishte kaluar rrethimin e avionit, duke u futur deri në brendësinë e pistës.

Kjo është hera e dytë që një kafshë shkakton vonesa në aeroportin e Mançesterit gjatë vitit 2011. Më parë, një dhi ishte futur në pistë, por ajo u largua shumë më shpejt.

Një qen në pistë është një rrezik i madh për një avion në ngritje ose zbritje, pasi nëse do të ndodhej pranë, do të përthithej nga vorbulla që lëshojnë motorët reaktivë, duke shkaktuar shpërthimin e tij.

Në historinë e avioacionit, janë të shumta rastet kur avionët janë rrëzuar pasi motorët e tyre kanë shpërthyer në kontakt me tufa zogjsh. Rasti më i njohur i këtij lloji, është ai i vitit 2010 në Nju Jork, kur pas një kontakti me një tufë pulëbardhash, një avion u ul në lumin “Hudson”, në qendër të metropolit njujorkez.

Top Channel