Enigma holandeze, avioni vidhet nga muzeu

20/12/2011 15:10

Një ngjarje e rrallë dhe e pashpjegueshme ka ndodhur në Holandë, ku një avion luftarak është zhdukur në mënyrë të befasishme nga muzeu ku ekspozohej, pranë qytetit të Arnhemit.

Në vend të avionit, një punonjës mbeti i befasuar kur zbuloi të nesërmën në mëngjes vetëm një shënim: “Kam flutuar. Shihemi në 2012-n”. Vetë muzeu ka kërkuar kthimin e avionit relike “F104”, ndërsa është shprehur se kjo ngjarje të jetë vetëm një shaka dhe jo një vjedhje me qëllim tregëtimin e tij për skrap.

Edwin van Brakel, drejtori i muzeut, deklaroi për “Associated Press” se e ka të pamundur të shpjegojë se si hajdutët misteriozë kanë mundur të transportojnë pa i parë një njeri një avion dhjetë metra të gjatë në rrugët e qytetit.

”Nuk është një makinë, por një avion. Nuk arrij të kuptoj se si mund të transportohet pa u vënë re nga asnjë”, tha van Brakel.

Disa komunitete në veri të Holandës e kanë si traditë që kryejnë vjedhje “humoristike” të objekteve, që shndërrohen në simbole të festës së Vitit të Ri, përpara se të kthehen përsëri.

Një vit më parë, një statujë e Mbretëreshës Beatriks mbi një biçikletë u vodh nga piedestali ku qëndronte në qytetin e Rhedenit, për t;u kthyer më pas në fillimin e vitit të ri.

Top Channel