Pasdite: Operacionet e gjoksit në Shqipëri

19/12/2011 19:15

Operacionet e gjoksit, si një trend gjithmonë e më i madh i kohëve moderne, u vendosën në qendër të vëmendjes së emisionit të Pasdites, gjatë së hënës. Specialisti i klinikës “Keit”, Skerdilajt Faria dhe eksperti Italian Xhusepe Rampino, dëshmuan për mënyrën se si kryhet kjo procedurë estetike, e cila ka filluar të përhapet në masë edhe në vendin tonë.

“Ekzistojnë tre kategori femrash që i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale në gjoks”, shpjegon Faria. “Të parat, janë ato që e kanë të vogël në krahasim me atë që vlerësohet se është një gjoks i natyrshëm dhe i bukur. Është një kategori tjetër, e grave që e kanë të madh dhe kjo u krijon probleme, jo vetëm estetike, por edhe në shpinë. Kategoria e tretë është e grave që kanë lindur dhe pas saj, kanë një gjoks të zbrazët dhe të varur. Në këtë rast, ato nuk kërkojnë zmadhim ose zvogëlim, por rikthimin në parametrat që kanë patur”.

I pyetur për vështirësinë që paraqet ky operacion, Faria shpjegon: “Në duart e një eksperti nuk është i vështirë, por një operacion rutinë. Tek kirurgu joekspert krijon probleme. Problemet me protezat, zmadhimin dhe komplikimet janë të gjitha të evitueshme nga dora e një eksperti”.

Ndër vite, teknologjia e protezave që përdoren për zmadhimin e gjoksit ka ndryshur në mënyrë drastike. “Silokoni, dikur i lëngshëm, sot përdoret në formë xheli. Është shumë më pak i rrezikshëm, nuk përhapet dhe nuk prishet. Sot, ai përdoret me tre shtresa dhe kjo bën të mundur që të mos shpërbëhet. Në të shkuarën, ka patur komplikime, si ngurtësimi i gjoksit, por diçka e tillë është reduktuar në pothuajse 0% të operacioneve të sotme. Megjithatë, është e rëndësishme që vajzat që paraqiten për një ndërhyrje të tillë, të kenë pretendime reale dhe proporcionale me përmasat e tyre fizike”, shprehet Zoti Rampino.

Specialisti i klinikës “Keit”, Skerdilajd Faria, kundërshtoi edhe “mitin” se protezat e gjoksit shkaktojnë probleme dhe rrisin probabilitetin e prekjes nga tumori në gji. “Silikoni në gjendje të lirë është e vërtetë që shkakton tumor, por në rastin e protezave, ai jo vetëm që është i ngurtësuar, por edhe i rrethuar me tre shtresa të padepërtueshme. Mund t’iu tregoj një protezë, të cilën mund ta përplasësh dhe të përpiqesh ta shqyesh, por nuk ia del dot mbanë. Gjithashtu, nuk është e vërtetë që këto operacione krijojnë probleme në gjendrat e qumështit dhe ju garantoj që ndërhyrjet, përsa kohë nuk pretedohet një masë joproporcionale, nuk shkaktojnë asnjë problem për shtatzani të mëvonshme”.

Top Channel