Përurohet portali albanologjik

19/12/2011 21:15

Portali albanologjik është një iniciativë e përbashkët e dy bibliotekave kombëtare, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, që i jep publikut një mundësi më tepër për të marrë informacion mbi literaturën dhe botimet albanologjike.

Ky shërbim pa pagesë ofron informacione të ndryshme për shqiptarët kudo që jane. Një vend të veçantë në të zënë burimet bibliografike dhe koleksionet e dixhituara të trashëgimisë kulturore kombëtare.

“Mendojmë se kemi realizuar një pjesë të mirë të ambicjes sonë, që brenda vitit ky portal të fillonte nga puna, me kushtet e mundshme për të dyja bibliotekat tona”, deklaroi Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Në faqen e internetit janë vendosur dhe do të vendosen kopje dixhitale të disa prej veprave më të rëndësishme të historisë së kombit tonë, si Meshari i Gjon Buzukut, apo dorëshkrimi i Kostandin Beratit.

“Kultura shqiptare ofron një thesar të cmuar që dëshmon identitetin tonë të lashtë, kulturor dhe historik. Ne synojmë që me këtë portal t’i prezantojmë këto vlera në bibliotekat botërore”, deklaroi Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Një tjetër botim i rëndësishëm i vendosur në këtë portal është edhe bibliografia apo historia e librave, apo dorëshkrimeve shqip që gjenden në fondet e bibliotekës kombëtare.

Ai përmban botime që prej vitit 1555 e deri në 1912-ën. Dy libra të tjerë të këtij lloji janë parashikuar për botim dhe do të mbulojnë edhe periudha të tjera kohore.

Top Channel