I pret gishtat gruas se shkonte në universitet

19/12/2011 13:05

Një burrë nga Bangladeshi i ka prerë pesë gishtat e dorës së djathtë gruas së tij sepse kjo e fundit donte të vazhdonte studimet e larta.

Rafiqul Islam ka lidhur bashkëshorten e tij 21-vjeçare, i ka mbyllur gojën dhe i ka prerë gishtat e dorës pasi ajo është kthyer nga një universitet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai kishte paralajmëruar Hawa Akhter se do të kishte pasoja të rënda nëse nuk hiqte dorë nga studimet.

“Ishte i tërbuar nga xhelozia sepse gruaja po studionte, ndërsa ai ka vetëm shkollën fillore”, tha për AFP-në shefi i policisë lokale.

30-vjeçari ka pranuar autorësinë dhe do të akuzohet për dëmtime të përhershme, një krim që sipas ligjit në Bangladesh mund të ndëshkohet edhe me burgim të përjetshëm.

Gruaja e re, Hawa Akhter, është kthyer në shtëpinë e prindërve dhe ka thënë për gazetën lokale ‘The Daily Star’ se është gati për t’ju rikthyer studimeve.

Sulmet e dhunshme ndaj grave të arsimuara janë të shpeshta në komunitetin musliman të Bangladeshit. Në qershorin e kaluar një burrë i nxorri sytë bashkëshortes së tij vetëm se ishte i papunë ndërsa ajo jepte mësim në Universitetin e Dakës.

Top Channel