Familja braktis të miturin

19/12/2011 20:55

I mituri Ardian Jupa është arrestruar disa muaj më parë për akuzën e vjedhjes dhe këtë të hënë fiton lirinë. Por përpara dyerve të burgut askush nga familja e vet nuk e pret.

Kushdo që do të linte ambjentet e burgut të të miturve do të ishte tepër i lumtur, por 17-vjecari e di cfarë e pret përtej këtyre mureve.

Prindërit e tij kanë shtatë fëmijë dhe Ardiani është i pari i tyre. Gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit, atë e kanë braktisur dhe askush nga familja dhe të afërmit nuk e ka takuar.

“I mërzitur jam, s’janë ata të shtëpisë, s’kam ku të marr lekë. Vetëm të hyjnë në borxh, sepse s’kanë lekë të vijnë nga Kruma këtu”, tregon 17-vjecari Jupa.

Punonjësi social Skerdi Shtini, në institutin e të miturve, që ka ndjekur nga afër situatën e Ardian Jupës, thotë se 17-vjecari pas përballjes në rehabilitim tashmë do t’i rikthehet realitetit të tij të vështirë.

“Atë e pret një gjendje ekonomike e vështirë, prandaj ai ka arsye të jetë i mërzitur. Ne po bëjmë përpjekje, do ta marrim dhe do ta dërgojmë deri në shtëpi, sepse prindërit nuk kanë lekë të vijnë ta marrin”, shprehet Shtini.

“Jam munduar me të gjitha format, edhe me anë të komisariateve, për të kontaktuar familjen e tij, por për të njëjtat probleme ata nuk mund të vijnë ta marrin. I bëj thirrje strukturave qeveritare që të ndërhyjnë, që për këta të mitur të ndjekin politika të caktuara derisa të mbushin 18 vjec”, thotë Emin Cani, drejtor i institutit të të miturve.

Varfëria për këtë fëmijë ka një emër tjetër. Ajo quhet “bukë”. “Më tepër jam i mërzitur që jam i varfër. Varfëria dhe buka më kanë shtyrë të vjedh. Por nuk do vjedh prap, do punoj”, thotë 17-vjecari Jupa.

Prej kësaj dite që ai fiton lirinë, cfarë e pret Ardian Jupën? A do të arrijë ai të ndihmojë familjen dhe veten, kësaj radhe pa vjedhur? Gjithcka i ngelet kohës për ta vërtetuar.

Top Channel