Qentë që kërcënojnë qytetin

18/12/2011 15:15

Parku Rinia në Tiranë është i vetmi park brenda Unazës ku banon pjesa më e madhe e kryeqytetasve dhe vendi ku qindra fëmijë dërgohen nga prindërit për të luajtur.

Por, mbreti i kësaj hapësire publike këtu është qeni pit-bull e dhjetëra të tjerë si ai. Në shumë vende, kjo racë qeni konsiderohet armë dhe nuk lejohet të dalë në publik. Ndërsa të gjithë qentë e tjerë lejohen të nxirren shëtitje duke pasur maskën mbrojtëse. Por, në Tiranë ndodh ndryshe, qentë shëtisin pa maska dhe shpesh edhe pa zinxhirë.
 
Ylli Dumi është një burrë 50 vjeç, i cili për pak sa nuk humbi jetën kur u sulmua të shtunën nga dy qen të racës pit-bull. Ai mori plagë të rënda ne kokë, krahë dhe pjesë të tjera të trupit, kur u sulmua në një nga lëndinat e parkut të Liqenit Artificial, ku më së shumti pronarët e qenve në Tiranë i nxjerrin shëtitje në të njëjtat lëndina e rrugë ku mundohen të shëtisin edhe fëmijët e të rriturit. Policia ka marrë në pyetje shoqëruesin e qenve, i cili ka rezultuar të jetë kujdestari i kafshëve që ishin në pronësi të një biznesmeni.  

Mjekët e Spitalit Ushtarak thanë se pacientit i është bërë tetanozi dhe i janë mjekuar plagët. Gjendja e tij ka qenë e rëndë sipas mjekëve.

Por, ky nuk është një rast i izoluar. Janë me dhjetëra pacientë të regjistruar pranë Spitalit Ushtarak dhe atij civil në Tiranë, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore pasi janë kafshuar nga qentë. Mjekët tregojnë se qentë që nxirren shëtitje në mjediset publike tërësisht të lirë, por edhe qentë endacakë, po kthehen në një problem shqetësues për qytetarët.

Mjeku infeksionist Arjan Harxhi pohon se në rastet e trajtuara në Spitalin Civil kanë ardhur pas kafshimeve në gjymtyrë. Pacientëve i është bërë një vlerësim i plotë për të parë nëse kanë infeksione, apo për ndonjë sëmundje tjetër.
 
Moda e mbajtjes së kafshëve në shtëpi në një vend ku nuk funksionon asnjë rregull po shndërrohet në rrezik real për njerëzit, pasi me gjithë rastet e sulmeve nga qentë autoritetet nuk kanë reaguar.  

Top Channel