OSBE nismë kundër “indiferentizmit social”

13/12/2011 00:00

Qytetarët shqiptarë janë indiferentë ndaj nismave sociale që zbatohen në komunitet. Instituti për Zhvillimin Arsimor i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit që reagimi qytetar të mësohet që në shkolla me qëllim krijimin e qytetarisë aktive.

Për këtë arsye, në vitin 2012 do të ndryshojë programi i lëndës së Edukatës Qytetare e cila aktualisht mësohet në klasat e nënta dhe të dhjeta.

Ky projekt do të mbështetet nga prezenca e OSBE në Tiranë. Ambasadori i OSBE, Eugen Wolfarth tha se shkollat janë një vend kyc ku të rinjtë kalojnë shumicën e kohës dhe ku ata krijojnë një sistem vlerash, parimesh.

“Demokracitë mbahen nga qytetarët që kanë njohuritë dhe aftësitë e duhura. Sa më shumë qytetarë të kenë dijet dhe aftësitë, aq më e qendrueshme mund të jetë demokracia. Ky projekt duhet parë si një kontribut në përpjekjet për të krijuar një shoqëri civile që ka vitalitet dhe që përkrah partive politike, medias dhe faktorëve të tjerë, do të forcojë më tej kuadrin demokratik dhe institucional të këtij vendi”, deklaroi ambasadori Wolfarth

Sipas sugjerimeve të ekspertëve është menduar që tekstet aktuale të Edukatës Qytetare të plotësohen me koncepte të reja mbi qytetarinë sic është dimensioni historik i qytetarisë, dimensioni europian i cili ka të bëje me krijimin e marrëdhënieve dinamike mes së tashmes dhe së ardhmes.

Dimensioni global mbi qytetarinë përkundrejt koncepteve që lidhen me diveristetin dhe pluralitetin kulturor. Si dhe dimensionin ekonomik që ka të bëjë me formimin e individëve aktivë dhe të sukseshëm në tregun e punës.

Top Channel