Uashington, vizitë historike e kryeministrit iraken

12/12/2011 16:15

Kryeministri i Irakut, Nouri Maliki, është duke realizuar një vizitë historike në Uashingon, gjatë së cilës do të bisedojë me Presidentin Obama mbi rolin e ri që do të ketë SHBA si partner, pas tërheqjes së afërt të të gjithë trupave nga vendi.

Maliki u shoqërua nga Ministri i Jashtëm i Irakut, i cili u takua me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Vizita është motivuar nga shqetësimi i Bagdadit, për mundësinë e rikthimit të konflikteve të përgjakshme në vend, ndërsa amerikanët po largohen nga vendi pas tetë vitesh prezencë.

Midis temave më të rëndësishme të bisedës përfshihet ndihma e ardhshme ekonomike për ndërtimin e vendit, asistenca e ekspertëve amerikanë për trupat relativisht të pastërvitura policore e ushtarake në Irak si dhe fati i një të burgosuri amerikan në vendin arab.

Maliki do të takohet edhe me zëvendëspresidentin Joe Biden e disa ligjvënës të tjerë amerikanë, në bisedime gjithpërfshirëse, që do të cekin tema si energjia, edukimi, gjyqësore e siguria, të paktën sipas komunikatës së lëshuar për shtyp nga Shtëpia e Bardhë.

Kjo është vizita e tretë zyrtare e Malikit në SHBA që prej mbërritjes së tij në pushtet në vitin 2006, por ajo konsiderohet si vendimtare për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe midis shteteve. Maliki ka programuar të vizitojë edhe varrezën e të rënëve të luftës, për të nderuar ushtarët amerikanë u vrarë në përpjekje për t’i rikthyer demokracinë Irakut.

Pothuajse të gjitha trupat amerikane janë tërhequr nga Iraku, ndërsa disa qindra ende të mbetur në vend do të kthehen në SHBA përpara përfundimit të vitit.

Top Channel