Nëna e devotshme e… kukullës

12/12/2011 14:30

Kjo grua britanike 38-vjeçare duket si të gjitha nënat e tjera duke shtyrë karrocën dhe duke kërkuar vendet me diell për të voglin e saj. Por, kjo grua nuk ka me vete një bebe. Brenda karrocës është një kukull plastike që i ngjan shumë një fëmije të vërtetë.

Ashleigh Kirby e ka blerë këtë bebe artificiale për 290 euro në internet. Ajo ka një vajzë 12-vjeçare dhe donte të zgjeronte familjen, por në momentin që u nda nga bashkëshorti e pa si të pamundur këtë gjë dhe vendosi që të blinte një kukull që i ngjan jashtëzakonisht bebeve reale.

“Bleva këtë bebe dhe i vura emrin Finley. Doja një fëmijë tjetër dhe ta adoptoja ishte e vështirë sepse jam e divorcuar, kështu që vendosa të blija këtë “djalë”. Ka 6 muaj që jeton me mua dhe vajzën time dhe tashmë është pjesë e familjes”, tha Kirby për ‘Daily Mail’.

Finley fle në krevatin e tij, ka dollapin që është blerë enkas për të dhe i ndërrohen rregullisht pelenat. Për të mos përmendur që 38-vjeçarja shpenzon një shumë të madhe parash për blerjen e rrobave të “djalit”.

“Kur bleva Finleyn ndjeva të njëjtin emocion si atë ditë që linda vajzën”, shton Kirby.

Vajza 12-vjeçare, e quajtur Becky, pranon se nuk e ka të lehtë këtë pasion të çuditshëm të nënës së saj për një kukull.

“Shokëve të klasës nuk i kam thënë gjë për “vëllain”. Këtë gjë e kam mbajtur sekret sepse është pak e çuditshme. Ndihem pak si e lënë pas dore tani sepse mami merret me Finley-n gjatë gjithë kohës”, thotë Becky.

Gjërat duket se nuk do të përmirësohen për vogëlushen sepse Ashleigh Kirby ka porositur një bebe tjetër, kësaj radhe vajzë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel