Irani, luftë Amerikës me videogame

10/12/2011 18:55

“Attack on Tel Aviv” kundër “Battlefield 3”. Irani do t’i përgjigjet me një lojë të re elektronike, të ambjentuar në Izrael, asaj amerikane që simulon një pushtim të Iranit nga ana e trupave amerikane.

Lajmin e ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve “Fars”, Behrooz Minaei, drejtues i Fondacionit iranian për lojrat elektronike.

“Fondacioni do të mbështesë projektin, për të cilin janë gati të kontribuojnë shumë programues iranianë”, ka deklaruar Minaei.

“Battlefield 3”, që muajin e kaluar u ndalua në Iran, përmban sipas tij shumë defekte teknike, por sidomos është e papranueshme për tematikën e saj.

E realizuar nga kompania amerikane “Electronic Arts”, “fusha e betejës” parashikon që lojtarët të jenë pjesë e një grupi marinsash elitë, që përjetojnë në vijën e parë mbërritjen në një Teheran gjysmë të shkatërruar nga bombardimet amerikane.

Historia më pas spostohet në Europë, Londër dhe Paris, ku terroristët kryejnë sulme mes turmave të njerëzve.

“Irani i ka dërguar shumë nota proteste kompanisë amerikane, por nuk ka marrë asnjë përgjigje”, ka deklaruar Minaei.

Prej këtej ka lindur dhe ideja për një kundërpërgjigje me një skenar tjetër lufte, të paktën në Playstation.

Top Channel