Eurodeputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Elmar Brok ka deklaruar duke iu referuar Serbisë, se Gjermania nuk dëshiron që në BE të anëtarësohet një shtet që ka probleme me kufijtë.

“Serbia duhet të zgjidhë problemin me Kosovën, më saktë atë të përcaktimit të kufijve dhe të bashkëpunimit rajonal. Kriteret mund të jenë të vështira, por BE nuk dëshiron brenda një Qipro të re”, ka pohuar Brok.

Sipas “RTK”, eurodeputeti ka theksuar se Unioni nuk dëshiron gjithashtu që brenda tij të anëtarësohet një Rumani ose Bullgari e re, që kanë probleme të mëdha me korrupsionin.

Më tej ai ka shtuar se, Kosova për Berlinin zyrtar do të mbetet gjithmonë një kusht për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, partia opozitare SPD, e ish-kancelarit Gerhard Schroder, ka shprehur keqardhjen e saj për refuzimin e statusit të kandidatit për Serbinë, pasi sipas saj ky vend e meritonte atë.

Bashkimi Europian vendosi të premten shtyrjen e dhënies së statusit të vendit kandidat për Serbinë, pavarësisht realizimit të disa kushteve kryesore nga ana e Beogradit.

Opozita radikale serbe reagoi ndaj vendimit duke djegur flamurin e Bashkimit Europian, në një protestë të organizuar kundër integrimit, si dhe duke thënë se Serbia nuk ka nevojë për BE-në.

Ndërsa presidenti Boris Tadic reagoi ndryshe duke thënë se Serbia nuk mund të tërhiqet nga rruga drejt Bashkimit Evropian, por as nga pretendimet e saj për Kosovën.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Bozidar Djelic, përgjegjës për cështjet e integrimit, dha dorëheqjen me argumentin se vendimi i Brukselit nuk ishte ai që Beogradi priste.

Refuzimi i statusit të kandidatit për Serbinë ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga Gjermania, nga vetë kancelarja Merkel, Austria, si dhe Britania e Madhe përmes një artikulli në të përditshmen “The Guardian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA