Peshqit më të moshuar në botë

30/11/2011 17:10

Dy peshq akuariumi, më të vjetrit të njohur në Britaninë e Madhe dhe mbase edhe në botë, festuan ditën e mërkurë 34-vjetorin e tyre.

Në fakt, ata mund të jenë edhe më të moshuar se kaq, rrëfen pronari, i cili fitoi “Splishin” dhe “Splashin” në një kënd lojrash, në vitin 1977. Atëherë, ata kishin një ngjyrë të kuqe të ndezur, por me kalimin e viteve, nga pleqëria janë shndërruar në gri.

Çifti i peshqve ka jetuar më shumë edhe se katër mace të shtëpisë. Diçka e tillë është e pashpjegueshme duke patur parasysh se peshqit jetojnë maksimalisht deri në dhjetë vjet, ndërsa ata që rriten në akuarium, kanë një jetëgjatësi shumë më të ulët.

”Nuk e kam idenë se si ia kanë bërë që të jetojnë të dy kaq gjatë. Kemi mbajtur të pastër akuariumin dhe i kemi hedhur ushqim çdo mëngjes, por nuk kemi bërë asgjë tjetër të veçantë. Janë bërë si pjesë e shtëpisë”, shprehet pronari, sipas të cilit, ka shumë gjasa që shtëpia t’u mbetet peshqve, pasi me “siguri do të jetojnë më gjatë se ne”, batuta e tij.

Në librin Gines, peshku më i moshuar ka ngordhur në moshën 43 vjeçare.

Top Channel