Ceremonia zyrtare me rastin e shpalljes së pavarësisë i bëri bashkë krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik.
Pavarësisht akuzave dhe mos komunikimit institucional të një viti të shoqëruar me polemika, Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, Kryeparlamentarja Topalli ishin në krah të njëri-tjetrit në pritjen e dhënë në Pallatin e Brigadave.
“Nuk ka nderim më të madh sesa në vitin shekullor, Shqipëria të marrë ftesën e anëtarësimit për në BE, sesa të jetësojmë e forcojmë demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës, sesa të konsolidojmë shtyllat themelore të shtetit: institucionet e pavarura kushtetuese, sistemin funksional të drejtësisë, modelin e qeverisjes së mirë, të ndershme e transparente, si dhe misionin social të shtetit”, tha Presidenti, Bamir Topi në fjalën e tij.
Kreu i Shtetit iu referua edhe progresit që politika shqiptare ka bërë kohët e fundit.
“U harxhuan energji të pafundme në një debat politik joproduktiv, duke vendosur pa të drejtë, axhenda paralele partiake mbi ato publike e kombëtare. Ditët dhe javët e fundit politika është kthyer përsëri në institucione dhe në tryezën e dialogut. Shpresa dhe inkurajimi im, ashtu si e shumicës qytetare në këtë vend, është që arsyeja dhe përgjegjësia të dominojë mbi çdo interes tjetër politik, për t’i dhënë shoqërisë dhe shtetit shqiptar, pa vonesë dhe me cilësinë e duhur, reformat, klimën dhe rezultatet e duhura, që sigurojnë standardet e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Kreu i Shtetit, Bamir Topi.
Presidenti Topi tha se 100 vjetori është një rast i mirë për të bërë një bilanc politik, për të mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe për të fituar kthjelltësinë e duhur për ecje më të shpejtë përpara.
Pas fjalës, Presidenti dhe Kryeministri u përshëndetën vec e vec me të ftuarit në Pallatin e Brigadave.
Berisha me pishtar në TOKB: Një vit i vizionit të ri
Ndërkaq, më herët tre krerët e lartë të shtetit ishin së bashku në një koncert në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku është celur sipari i vitit të 100- vjetorit të Pavarësisë.
“Viti i 100 –vjetorit është një vit mirënjohje për të gjithë ata që flijuan jetën e tyre për të gëzuar ne sot larine si dhe mirënjohje për të gjithë miqtë që na kanë mbështetur në ditë të vështira. Ky është një vit i vizionit të ri për këtë vend”, tha Berisha me një pishtar në dorë.
Mbrëmja në Tiranë ka vijuar edhe me koncertin e organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, ku para qytetarëve interpretuan këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare. Atje përshëndeti Kryeministri Berisha dhe Kryebashkiaku Basha.
Top Channel