Mjekë të njohur gjinekologë shqiptarë dhe grekë kanë marrë pjesë në konferencën zhvilluar për qelizat staminale, një risi e shkencës për shërimin e disa sëmundjeve të rënda.

Tashmë mjafton që në beben e sapolindur të merren disa qeliza në kordonin e kërthizës për të shëruar sëmundje si leuçemia, sëmundje të tjera të gjakut, sëmundje kancerogjene, të trurit, zemrës e shumë të tjera.

“Pas lindjes së një fëmije, gjaku që mbetet në kordonin e kërthizës është një burim mjaft i rëndësishëm për qelizat staminale. Këto qeliza kanë dy karakteristika: ato diferencohen nga njëra-tjetra dhe mund të shumëfishohen vetë. Kjo gjë bën që këto qeliza të kurojnë shumë sëmundje”, shprehet Vasilios Kellaris, gjinekolog grek.

Drejtoresha e maternitetit “Koço Glozheni” në Tiranë, e konsideroi mjaft të rëndësishme këtë konferencë pasi sipas saj mjekët shqiptarë nuk kanë informacion të mjaftueshëm për këtë risi.

“Mënyra e marrjes së këtyre qelizave nuk dëmton as nënën dhe as foshnjen. Teknika e marrjes së këtyre qelizave nuk është aspak e vështirë”, theksoi Rubena Moisiu.

Tashmë një mundësi e tillë do i jepet edhe familjeve shqiptare në rastin kur sjellin në jetë një fëmijë pasi spitali grek “Hygeia” bashkëpunon me një ndër bankat më të njohura europiane “Stam Health Hellas”.

Top Channel