Letra e hajdutit: “Je shumë budalla!”

25/11/2011 18:00

Policia angleze detyron hajdutët minorenë t’i shkruajnë letra pronarëve të shtëpive që kanë vjedhur si pjesë e rehabilitimit të tyre. Në këto letra hajdutët e vegjël kërkojnë ndjesë për veprimin e tyre.

Një adoleshent nga Leeds, i cili u arrestua pasi vodhi në një shtëpi një video-lojë, një kamerë, dy televizorë dhe dy bokse, nuk mori një dënim të rëndë për këtë. Ai u la i lirë me kusht që të shkruante një letër ku të kërkonte të falur dhe të vëzhgohej rreptësisht nga policia lokale.

Por, 16-vjeçari shpalosi në letër të gjithë sinqeritetin e tij. Ja teksti (që ishte i mbushur me gabime ortografike):

“I dashur viktimë,

Nuk e di pse po të shkruaj! Di që jam i detyruar për të shkruajtur. Sinqerisht nuk jam i penduar se të vodha shtëpinë sepse fajin e kishe vetë. Do të shpjegoj gabimet idiote që bëre. Së pari, nuk mbylle perdet siç bëjnë të tjerët para se të flenë. Së dyti, je shumë budalla që jeton në Stainburns, një zonë me rrezik të lartë vjedhjeje dhe je shumë idiot që lë dritaren e kuzhinës hapur. Unë nuk do e bëja kurrë këtë gjë. Gjithsesi, nuk më vjen keq për ty dhe nuk jam penduar fare.”

Kjo letër nuk i është dërguar pronarëve të shtëpisë, por sipas policisë së West Yorkshire teksti i saj është i dobishëm për banorët e zonës në mënyrë që të marrin masa për ruajtjen e shtëpisë së tyre duke kyçur dyert.

Top Channel