“E Premtja e Zezë”, blerësit “sulmojnë” dyqanet

25/11/2011 00:00

Përpara godinës së dyqanit të veshjeve “Macy`s”, në sheshin “Herald” të Nju Jorkut, 9.000 vetë prisnin hapjen e dyerve në mesnatë, më shumë se gjatë gjithë këtyre viteve të fundit.

Disa madje kishin ngritur edhe cadra fushimi. Arsyeja e radhëve të gjata, jo vetëm aty, por edhe nëpër dyqane të tjera janë uljet drastike të nesërmen e Ditës së Falenderimeve, një traditë që për shkak të problemeve ekonomike, tani duket më e mirëpritur se kurrë. Të paktën këtë tregon numri rekord i blerësve.

Adam Deleary edhe darkën e Falenderimeve e hëngri në rrugë, duke pritur hapjen e një dyqani elektroshtepiakesh dhe përfitimin nga uljet e mëdha të cmimit për televizorët LCD.

“Të mendosh që mund ta marrësh për 199 dollarë, ia vlen të presësh 20 orë. Nuk më shqetëson fare ky fakt, familja ime e kupton, pushim nga puna kam, përse të mos rri e të përfitoj nga oferta më e mirë e mundshme?!”, thotë ai.

Për dyqanet,  “E Premtja e Zezë” mund të jetë dita me shitjet më të mëdha për të gjithë vitin, dhe një barometër i asaj cfarë duhet të bëjnë në vazhdim të sezonit.

Ajo ka qenë historikisht momenti kur konsumatorët blinin aq shumë sa ndihmonin bizneset të nxirrnin fitimet e tyre për gjithë vitin. Megjithëse e nesërmja pas Ditës së Falenderimeve nuk është parashikuese e saktë e shitjeve gjatë festave, ajo sërish mbetet një tregues i rëndësishëm i vullnetit të njerëzve për të shpenzuar para.

Një episod i cuditshëm shoqëroi këtë të premte uljesh, kur një grua në Los Angeles përdori “spray-piper” për t’i mbajtur njerëzit larg mallrave që donte të blinte vetë, duke lënduar të paktën 20 persona.

Top Channel