Rusi, deputetët s’ngrihen në këmbë për Putin

24/11/2011 00:00

Më parë vërshëllimat në stadium, tani gjysma e Parlamentit që nuk ngrihet në këmbë kur ai hyn në sallë.

Janë këto evenimentet që kanë karakterizuar katër ditët e fundit të aktiviteteve elektorale të kryeministrit rus Vladimir Putin.

Gjatë ditës së mërkurë, kur kreu i qeverisë u fut në sallën e Dumës për fjalimin e fundit para degës së ulët të Parlamentit para shkrirjes së tij, deputetët e Partisë Komuniste dhe ata të Rusisë së Drejtë nuk u ngritën nga karrikja e tyre.

Kështu shkruan shtypi rus në edicionet e sotme të tij. Kryeministri është përshëndetur vetëm nga deputetët e partisë Rusia e Bashkuar, e udhëhequr nga vetë ai, si dhe nga liberal-demokratët e ultranacionalistit Vladimir Zhirinovski. Nga ana e tij, Putin reagoi me ironi.

“Dua të falenderoj të gjithë deputetët e Dumës, pa dallim partiak, ata që u ngritën dhe ata që menduan se nuk ishte e mundur ta bënin”, tha ai duke qeshur. Më pas ai i kërkoi opozitës që “të sillet me maturi” dhe që “të mos e përmbysë anijen”.

Partia Rusia e Drejtë e ka motivuar sjelljen e saj si një gjest proteste ndaj liderit të një partie që po ushtron presion kundër saj.

Pak ditë më parë Putin u vërshëllye nga publiku teksa ndodhej në një eveniment sportiv. Edhe pse ai mbetet lideri më popullor në vend, treguesi i mbështetjes së tij ka zbritur në sondazhet e fundit në kuotën 60 për qind.

Më herët gjatë muajit, pasi konfirmoi rikthimin në krye të Kremlinit, Putin deklaroi se nuk e bënte këtë për të rendur pas pushtetit.

Top Channel