Kriza, takim mes 3-shes Monti-Merkel-Sarko

24/11/2011 00:00

Kryeministri italian Mario Motni takohet sot me kancelaren gjermane
Angela Merkel dhe presidentin francez Nicolas Sarkozy, për herë të parë
që kur Monti mori detyrën.

Megjithatë, takimi nuk do të përqendrohet vetëm tek Italia. Gjermania aktualisht nuk po bie dakord me KE-në dhe Francën nëse eurobondet duhet të lancohen nga e gjithë eurozona apo individualisht nga vendet anëtare të saj.

Ditën e mërkurë Gjermania shiti eurobonde 10-vjecare me vlerë 3.6 miliardë euro, nga 6 miliardë që ishte oferta.

“Nga bisedat e mia me analistë, tregtarë dhe zyrtarë kam zbuluar se shumë prej tyre mendojnë se lojës së euros po i vjen fundi”, ka deklaruar Stephanie Flanders, redaktore e ekonomisë në redaksinë e BBC.

“Ndoshta nuk do të jetë me doemos fundi, por shumë shpejt do të shohim nëse do të ketë një hap të madh përpara, ose një tkurrje. Edhe Gjermania nuk do të jetë më një parajsë e sigurtë nëse situata përkeqësohet”, ka nënvizuar Flanders.

Ditën e mërkurë, presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso prezantoi planin mbi mundësinë që 17 vendet e eurozonës të lancojnë së bashku eurobondet.

Por zoti Barroso theksoi se krijimi i eurobondeve do të kërkojë më shumë mbikëqyrje të buxheteve dhe politikave ekonomike nga secili anëtar.

Gjermania kundërshton si lëshimin e përbashkët të eurobondeve, ashtu edhe përfshirjen e Bankës Qendrore Evropiane në ndihmat për vendet në vështirësi.

Berlini zyrtar është i shqetësuar se eurobondet e përbashkëta do të reduktojnë presionet mbi vendet anëtare për të reduktuar borxhet e tyre.

Top Channel