Ulet me sukses në Tokë anija ruse “Soyuz”

22/11/2011 00:00

Anija hapësinore ruse, “Soyuz”, është ulur pa probleme në Kazakistan,
duke sjellë në tokë tre anëtarët e ekuipazhit nga Stacioni Hapësinor
Ndërkombëtar.

Astronauti amerikan Mike Fossum, japonezi Satoshi Furukawa dhe rusi Sergei Volkov kaluan 165 ditë në SHN.

Zëvendësuesit e tyre, dy rusë dhe një amerikan, mbërritën në stacion të mërkurën e kaluar, duke u mundësuar atyre kthimin në Tokë.

“Soyuz” është aktualisht mjeti i vetëm për të arritur SHN-në pasi Shtetet e Bashkuara përfunduan programin e tyre për anijet më herët gjatë vitit.

Kapsula preku terrenin pa pasur probleme në stepat me borë të Kazakistanit, në orën 08:27 me orën lokale.

Pamjet televizive treguan tre astronautët duke buzëqeshur teksa dilnin nga anija të mbuluar me batanije. “Ulja shkoi shumë mirë. Cdo gjë është në rregull”, deklaroi rusi Sergei Volkov.

Agjencia hapësinore amerikane “NASA” deklaroi se kapsula ishte ulur në mënyrë anësore, gjë që është normale në një mot me erëra të forta.

Top Channel