Berisha kërkon mbështetjen e Izraelit

22/11/2011 00:00

Kryeministri Sali Berisha ka hapur kartat diplomatike dhe gjatë vizitës në Jeruzalem nuk la vend për asnjë hamendje në qendrimin pro politikes së Izraelit në raport me mosmarrëveshjet me Autoritetin Palestinez.

Në një fjalim si i ftuar nderi në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, pasi shprehu me entuziazëm admirimin për kombin hebre dhe marrëdhëniet miqësore historike me kombin shqiptar, kryeministri Berisha, po me aq entuziazëm përkrahu politikën e ndjekur nga Izraeli për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me palestinezët.

Nga pikëpamja politike, Shqipëria, ka një zë modest në arenën ndërkombëtare, por përkrahja e iniciativave diplomatike të Izraelit, sic ishte rasti i fundit në Nju Jork për të penguar Autoritetin Palestinez në kërkesën e tij për t’u njohur si vend anëtar në OKB, është një hap i vlerësuar nga Izraeli.

Gjë që u dëshmua edhe gjatë fjalimit të kryeministrit Berisha para Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, ku e cilësoi nismën palestineze kundër-produktive për arritjen e paqes.

“Ne nuk do ta mbështesim kërkesën për anëtarësim në OKB të autoriteteve palestinezeve, sepse ne besojmë se rrugët e shkurtra nuk ndihmojnë në këtë proces, si dhe zgjidhja duhet të përfshijë sigurinë e plotë të të dy vendeve e dy kombeve”, tha Berisha.
 
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Berisha bëri edhe deklarata të forta kundër Iranit, vend i cili besohet se po përgatit armë atomike. Ashtu si Izraeli, edhe Shqipëria përkrah cdo sanksion kundër Iranit.  

“Ne padyshim, besojmë se Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të vendosë mbi të gjitha, hapat dhe masat që e parandalojnë Iranin të bëhet një fuqi nukleare, të parandalojnë Iranin të shndërrohet një kërcënim i madh për të gjithë rajonin, sigurisht, për Izraelin, për të cilin ka shprehur pikëpamjet për ta fshirë si komb e si vend për shkak të urrejtjes, racizmit dhe psikologjisë”, deklaroi kryeministri Berisha.

Duke mbajtur këto qendrime kaq hapur, kryeministri Berisha synon ta bëjë Izraelin një aleat në projektin e tërheqjes së investitorëve të huaj në Shqipëri.

Megjithëse me një histori të shkurtër si shtet, Izraeli konsiderohet si një nga vendet më të përparuara në zhvillimin ekonomik dhe industrial në Azinë Jug-perëndimore. Gjithashtu ekonomia e Izraelit është renditur si ekonomia e parë më e qendrueshme në botë përballë krizës globale dhe përvec zhvillimit të lartë teknologjik, Izraeli është vend lider në zhvillimin e teknologjisë diellore.

Këto janë arsye të mjaftueshme pse kryeministri Berisha po ndjek një politike agresive me vende si Norvegjia dhe Izraeli për t’i ftuar ata të investojnë në Shqipëri dhe ky objektiv u shpreh hapur nga kryeministri Berisha në të gjitha takimet e tij, përfshirë edhe takimin me homologun izraelit, Benjamin Netanjahu.

I zhvilluar në masa të larta sigurie, nga ky takim u theksua vetëm angazhimi i dyanshëm për bashkëpunim ekonomik.

Kryeministri Netanyahu e siguroi kryeministrin Berisha se qeveria e Izraelit do të inkurajojë sektorin privat të biznesit Izraelit për të investuar në Shqipëri, duke shfrytëzuar, sic thuhet në njoftimin zyrtar, klimën jashtëzakonisht të favorshme të krijuar nga qeveria shqiptare për bizneset.

Ndërkohë kryeministri Berisha shfrytëzoi edhe forumin e përbashkët ekonomik shqiptaro-izraelit për të prezantuar potencialin e Shqipërisë dhe për t’i ftuar ata të investojnë në Shqipëri, një vend ende i pazbuluar plotësisht dhe që është një nyje strategjike për lidhjen me tregun europian.

Top Channel