Politika e panaireve

18/11/2011 00:00

Lulzim Hoxha – Pak ditë më parë, në kryeqytet sapo u mbyll Panairi i Librit, që sivjet
si asnjëherë tjetër shënoi një dyndje masive nga ana e lexuesve.

Për të shpjeguar arsyet e zgjimit të këtij interesi kaq të madh të shqiptarëve për librin, do të ishte e arsyeshme të trajtoheshin faktorët social-politik dhe mediatiko-propagandistik të këtij panairi. Në këtë drejtim mund të thuhet se panairi i sivjetshëm nuk ishte thjesht një panair i zakonshëm librash që u drejtohej individëve të caktuar në varësi të fushës së tyre të interesit. Përkundrazi, gjatë ditëve të panairit në gjithë hapësirën politiko-mediatike u duk sikur koha befasisht kishte ndaluar. Kësisoj debate të tilla që prekin në mënyrë direkte jetën e qytetarit, të tilla si: debate mbi taksën progresive, vendosja e stazhit 3-vjeçar nga MASH-i, apo së fundmi vdekja e minatorit në Bulqizë, u mbuluan nga një vello ideologjike që i errësoi thuajse krejtësisht si ngjarje përmes vendosjes në krye të axhendës politike promovimin e librave të panairit.

Ajo çka u evidentua në këtë panair ishte numri i madh i promovimeve nga personazhe aktive në jetën politike. Në këtë mënyrë spektri politik arriti ta konservojë imazhin e tij spektakolar, kësaj here jo më duke folur nëpër foltoret e Parlamentit apo përmes konferencave për shtyp, por duke shpërndarë autografe nëpër stendat e shtëpive botuese përkatëse ose duke marrë petkun e shkrimtarit nëpër emisione të ndryshme televizive. Nga ana tjetër, dimensioni ideologjik që ofroi ky panair mundësoi transferimin e debateve shterpë në foltoret e Parlamentit, për te shkëmbimet e batutave “mes miqsh” për librat e njëri-tjetrit në sallën e Pallatit të Kongreseve. Me sa duket letërsia është domeni i radhës i zaptuar nga klasa politike, duke i bërë plotësisht të panevojshëm debatet më sfond politiko-social. Sikurse thoshte Pierre Bourdieu shumë vite më parë, “funksioni themelor i ideologjisë është që t’i bëjë subjektet të njihen si të tillë.” E thënë ndryshe: mjafton që politikanët të qëndrojnë në sfonde (gjoja) antagoniste dhe përreth tyre të mblidhen plot adhurim turmat e qytetarëve dhe rendi simbolik arrin të performohet. Ky ishte roli i këtij aktiviteti kulturor në vjeshtën e sivjetme: riprodhimi i rendit simbolik të shoqërisë sonë në hapësira të reja social-kulturore ku socializohet individi.

Teoria sociale na mëson se njeriu përpara së gjithash është qenie në komunitet, por për t’u identifikuar me një komunitet ai duhet të socializohet nga agjenci të ndryshme që përbrendëson superstruktura e shoqërisë (shkolla, media, kultura, profesioni etj.). Çështja është se këto agjenci socializuese nuk janë kurrsesi të pavarura në brendësinë e tyre, në pjesën më të madhe ato janë kanale difuzioni të ideologjisë dominante, ekzistenca e së cilës varet nga riprodhimi i saj në secilën prej këtyre agjencive. Kësisoj, siç na dëshmoi panairi i sivjetshëm, letërsia si pjesë përbërëse e kulturës së një vendi nuk është aspak një domen i pavarur në vetvete. Ngjyra që i jepet këtij domeni është në varësi të atyre që kontrollojnë instrumentet e propagandimit dhe difuzionit të tij. Agjencitë politiko-mediatike si mekanizma përcaktues të botëkuptimeve në shoqërisë tonë kanë një rol kryesor në promovimin e asaj çka është letërsi e bukur dhe e shëmtuar. E njëjta gjë mund të vërehet edhe në regjimin e kaluar, ku ideologjia dominuese – sigurisht me një tjetër formë – shpallte si të lexueshëm disa autorë të caktuar librash dhe si të palexueshëm disa të tjerë. Por arritja më e madhe politike e panairit të sivjetshëm ishte mbi të gjitha ajo çka Louis Althusser do ta quante “interpelimi i subjekteve”. E thënë më terma të tjerë: qytetarët shqiptarë, ashtu sikurse ka ndodhur që prej shumë dekadash në historinë e këtij vendi, u grumbulluan në mënyrë masive përreth politikanëve (të kthyer në shkrimtarë) edhe kësaj here. Ndjesia e këtij adhurimi të pakushtëzuar ndaj figurave politike kryesore pati jehonë të madhe edhe në aktivitete kulturore të këtij lloji. Në fakt dominimi ideologjik këto njëzet vjetët e fundit ka arritur caqe ekstreme: më 21 janar të këtij viti pati një rekord grumbullimi të qytetarëve në protestë (edhe kjo e organizuar nga një politikan), ndërkohë që javën e shkuar në shtëpitë botuese “Dudaj” dhe “UET Press” pati një dyndje të qytetarëve për të lexuar; në të vërtetë shoqëria jonë nuk është shquar ndonjëherë për shpirt proteste apo përkushtim në të lexuar, por ajo çka vazhdon të riprodhohet në mekanizmat ideologjikë të pushtetit është ADN-ja sociologjike e shqiptarëve si qenie të bindura dhe me adhurim të pakushtëzuar ndaj udhëheqësve të tyre. Kur flet për regjimin Stalinist në BS, Slavoj Zizek, thekson se “Stalinit në atë regjim i lejohej të jepte mendimin e vet për çdo gjë: që nga ekspertiza urbanistike e deri te vaditja e luleve”, duke pasqyruar kualifikimin e tij në çdo hapësirë të mundshme. A nuk është e njëjta gjë edhe në rastin tonë? Tanimë nuk është më e domosdoshme të jesh shkrimtar për të shkruar një libër dhe të jesh kundër sistemit për të organizuar një revolucion, kryesorja është që të kesh nën kontroll instrumentet që formojnë perceptimet e të qenët shkrimtar apo revolucionar.

Ishulli imagjinar që po ndërton propaganda politiko-mediatike është tërësisht i shkëputur nga realiteti socio-kulturor në vend, por megjithatë ky ishull arrin të marrë kuptim edhe pa realitetin që e rrethon, për arsye se instrumentet kuptimore janë plotësisht nën zaptimin e tij, kështu që e gjithë pjesa tjetër e fundosur nga realiteti i rëndomtë nuk mundet veçse të marrë rolin e lexuesit apo të protestuesit. Me anë të këtyre mekanizmave, pushteti dhe dija ndërthuren me njëri-tjetrin, duke bërë që i pari të dominojë përmes të dytit. Nuk ka dije absolute apo romane absolutisht të mirë, por vetëm instrumente pushteti që i pasqyrojnë ato te publiku si diçka absolute. Fundja pushteti i një politikani që merr mundimin të kthehet në shkrimtar, nuk e ka të vështirë kthimin e militantëve në lexues shembullorë (tjetër eksperiencë nga regjimi i kaluar). Dija është në anën e atij që ka në dorë instrumentet e “krijimit” të saj, për rrjedhojë, politikanët nuk mund të mos jenë shkrimtarë dhe artistë të mëdhenj, pavarësisht nga realiteti që fshihet përtej statusit të tyre social.

Gazeta “Shqip”

Top Channel