Kur dashuria vret me të vërtetë

18/11/2011 12:15

Përfundimi i një marrëdhënie dashurore ose vdekja e një njeriu të dashur është një prej arsyeve kryesore të infarkteve në botë dhe femrat goditen nëntë herë më shumë.

Ky ishte përfundimi i një studimi të publikuar ditën e premte në një revistë mjekësore. Traumat ose tronditjet emocionale janë në gjendje që të provokojnë çrregullime të mëdha tek zemra, duke nisur nga aritmia, takikardia, luhatjet e tensionit e deri tek ndalimi i saj.

Duke krahasuar rastet e ndodhura, grupi mjekësor i studiuesve amerikanë arriti në përfundimin se për vetë mënyrën se si të dyja gjinitë e përjetojnë një humbje të tillë, femrat goditen nëntë herë më shumë prej infarkteve “emocionalë”.

Mjekët kanë arritur të zbulojnë edhe arsyen fiziologjike përse ndodh diçka e tillë. Një fluks i madh adrenaline, së bashku me disa lloj hormonesh të tjerë, rrisin dukshëm presionin me valvulat e zemrës, duke bërë që në disa raste ato të keqfunksionojnë.

Shumica e rasteve janë të rikuperueshme, pasi nuk bëhet fjalë për një infarkt klasik, gjatë të cilit janë arteriet ato që bllokohen. Megjithatë, në 1% të rasteve, bllokimi rezulton fatal.

Gjatë vitit 2007, në SHBA, u regjistruan 6 229 raste të paraqitura në urgjencë me infarkt ose probleme të tjera në zemër, si rezultat i një trauma emocionale. Në total, vetëm 670 pacientë ishin meshkuj, ndërsa rreth 5 550 femra.

Top Channel