Piloti kyçet në tualet, panik mes pasagjerëve

17/11/2011 16:45

Një pilot shkaktoi një panik të vërtetë në avionin që ishte duke drejtuar për në Nju Jork, pasi mbeti për disa minuta në tualet, pa asnjë në kontrollin e mjetit.

Lajmi i raportuar të enjten nga mediat amerikane ndodhi në një udhëtim të shkurtër, në bordin e një avioni të vogël, të drejtuar nga një pilot i vetëm.

Në mesin e fluturimit, pasi ndieu një nevojë biologjike, piloti vendosi avionin në sistemin e drejtimit automatik, për t’u larguar për fare pak. Megjithatë, pasi përfundoi punë në tualetin e ndodhur në fundin e avionit, piloti nuk arrinte dot të hapte derën, e cila u bllokua.

Si rrjedhojë, ai u detyrua të kërkonte ndihmën e pasagjerëve, të terrorizuar nga fakti që piloti i tyre ishte kyçur brenda tualetit. Kulla e kontrollit, duke parë se piloti po dilte jashtë kursit, vendosi nën alarm avionët luftarakë.

Megjithatë, për fat të mirë, incidenti u zgjidh pas pak minutash, me pasagjerët që arritën të shpërthenin derën dhe të lironin pilotin e bllokuar.

Top Channel